Sport

Te Ballkani shpresojnë që pranimi i dy golave të vonshëm të mos i penalizojë

Descriptive Text

Ballkani javën e ardhshme do të udhëtojë në Ishujt Faroe me një synim të vetëm – ta shkruajë historinë e futbollit kosovar.

Kampioni i Kosovës do ta kërkojë fitoren ndaj kampionit të Ishujve Faroe, Klaksvikut, për t’u konfirmuar në mesin e skuadrave që do të luajnë në fazën e plejofit të Ligës së Konferencës.

Nëse Ballkani kalon me sukses raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, atëherë do të bëhet ekipi i parë kosovar që luan në plejof të një gare të UEFA-s.

Skuadrat kosovare prej edicionit 2017/18 paraqiten rregullisht në arenën ndërkombëtare, por asnjëherë nuk kanë kaluar përtej raundit të tretë kualifikues.

Kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç, thotë se ekipi nga Suhareka ka një rast të artë për ta shkruar historinë dhe nuk do ta lëshojë atë nga dora.

Ballkani e fitoi ndeshjen e parë ndaj Klaksvikut, të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me rezultatin e ngushtë 3:2, ndonëse ishte në epërsi prej tri golave deri në minutën e 69-të. Kuç, të premten për KOHËN, ka thënë se Ballkani aspak nuk do të bazohet në ndeshjen e parë, por do të dalë në fushë për ta fituar duelin e kthimit për të avancuar në plejof, siç i ka hije një ekipi kampion. Ndeshja e kthimit mes Klaksvikut dhe Ballkanit luhet të enjten e ardhshme në stadiumin “Vio Djupumyrar”.

“Ne do të shkojmë atje për rezultat pozitiv, që do të thotë ta fitojmë ndeshjen dhe të kualifikohemi në plejofin e Ligës së Konferencës. Jemi ekip shumë më i mirë dhe këtë duhet ta dëshmojmë edhe atje, ndonëse nuk do të jetë lehtë. Po ashtu, assesi nuk guxojmë t’i përsëritim gabimet e ndeshjes së parë”, është shprehur Kuç. “Ne jemi ekip që gjithmonë synon fitoren në çdo ndeshje, qoftë në shtëpi apo udhëtim. Ishim më të mirë se Klaksviku në çdo aspekt në ndeshjen e parë dhe jam i sigurt se do të japim 100 për qind nga vetja që t’i gëzojmë tifozët dhe ta shkruajmë historinë e futbollit kosovar duke luajtur në plejof të një gare evropiane”.

Kuç e ka vlerësuar si të madhe fitoren në ndeshjen e parë, ndonëse ka pranuar se rezultati është dashur të jetë dukshëm më i thellë. Sipas tij, Klaksviku u dëshmua edhe një herë si kundërshtar i fortë dhe nuk ka arritur rastësisht deri në këtë raund kualifikues të Ligës së Konferencës. Te Ballkani shpresojnë se pranimi i dy golave të vonshëm të mos i penalizojë në ndeshjen e kthimit. Dy golat u pranuan për moskujdes në repartin defanziv.

“Sigurisht ishte një fitore e madhe kundër një ekipi fantastik, i cili dinte se çfarë donte. Luajtëm mirë dhe natyrisht që ka mundur të jetë fitorja më e thellë. Gjatë këtyre ditëve do të bëjmë një analizë se ku ishim të mirë dhe ku gabuam, në mënyrë që të shkojmë edhe më të përgatitur në ndeshjen e kthimit. Na pret një duel i vështirë, por e kemi parasysh se në këto raunde kualifikuese nuk ka ndeshje të lehta”, shtoi Kuç.

Edhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi, insiston se Ballkani ka cilësi për të luajtur në plejof, që është faza e fundit para asaj të grupeve të kësaj gare, që për kah niveli evropian është e treta pas Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës.

Për ta provuar plejofin, Thaqi shtoi se e kanë për detyrë ta fitojnë ndeshjen e kthimit. Në rast të kualifikimit në plejof, Ballkani do ta ketë për kundërshtar humbësin e duelit të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës mes Shkupit e Shamrockut. Ndeshjen e parë Shkupi e ka humbur në Irlandë me shifrat 3:1.

“Duhet të vazhdojmë tutje, të paktën të arrijmë në plejof, sepse kemi cilësi për ta bërë këtë. Kështu që duhet të dalim në fushë dhe ta fitojmë ndeshjen për ta vazhduar ëndrrën evropiane që është e rëndësishme si për Ballkanin ashtu edhe futbollin e Kosovës”, u shpreh Thaqi. “Në Ishujt Faroe shkojmë të fitojmë dhe jo të varemi nga rezultati i ndeshjes së kthimit, pasi kemi një epërsi të vogël që nuk garanton pothuajse asgjë”.

Thaqi insistoi se Ballkani duhet të jetë tejet i kujdesshëm në ndeshjen e kthimit. Ai vlerëson se Klaksviku është shumë i fortë kur luan në shtëpi.

Në fakt, Klaksviku dy ndeshjet e këtij edicioni në Evropë që i ka luajtur si vendas i ka fituar dhe të dyja ishin të kthimit. Në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, Klaksviku e mposhti 3:1 Bodo/Glimtin, por që nuk i mjaftoi të avancojë tutje për shkak të disfatës 3:0 në duelin e parë. Pas eliminimit në Champions, Klaksviku garat i vazhdoi në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës dhe pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë në udhëtim te Sutjeska e Malit të Zi, e fitoi të kthimit 1:0 për të avancuar tutje.

“Shkojmë atje maksimalisht të motivuar, por nuk do të jetë lehtë për shkak se Klaksviku në shtëpi këtë edicion nuk di për humbje në Evropë dhe është shumë i fortë”, tha Thaqi që pranoi se Ballkani ka mundur t’i japë fund çështjes së kalimit në plejof në Prishtinë. “Ishim në epërsi prej tri golave, por i pranuam dy në fund për ta lëshuar kualifikimin prej dore. Kështu që atje duhet të tregohemi maksimalisht të kujdesshëm dhe të mos i lëmë asgjë rastit”.

Sa i përket kualifikimit në fazën e grupeve, Thaqi shtoi se është herët të flitet për një gjë të tillë, ndonëse e kanë në mendje. Madje thotë që nuk është mirë të mendohet as paraqitja në plejof, pasi fokusi është vetëm te ndeshja e kthimit.

“Nuk guxojmë tash të mendojmë as për fazën e grupeve apo plejofin, sepse duke menduar shumë larg e lëshuam fitoren bindëse nga dora. Do ta mbajmë fokusin vetëm te ndeshja e kthimit, të cilën duhet patjetër ta fitojmë”, u shpreh Thaqi.

Ngjashëm sikurse Klaksviku edhe Ballkani edicionin 2022/23 në garat evropiane e nisi në kualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe u eliminua në raundin e parë nga Zhalgirisi i Lituanisë për të vazhduar në Ligën e Konferencës. Për Ballkanin, kjo është hera e parë që po paraqitet në arenën ndërkombëtare.