Dy nga skuadrat më të mëdha dhe më të suksesshme në historinë e futbollit gjerman kthehen në Bundesligë këtë fundjavë, me gjigantët e rënë Werder Bremen dhe Schalke, të rikthyer në elitë pas një sezoni në nivelin e dytë, shkruan AFP, të premten. Bremeni ka fituar katër tituj të Bundesligës, së fundmi në vitin 2004 dhe gjashtë Kupa të Gjermanisë, e fundit në vitin 2009. Schalke e ka fituar ligën gjermane shtatë herë, më e fundit në vitin 1958 dhe është pesë herë fitues i Kupës së Gjermanisë, duke e ngritur trofeun për herë të fundit në vitin 2011.
“Parasezoni ka përfunduar dhe tani është koha për të dhënë më të mirën në Bundesligë”, paralajmëroi trajneri i ri i Schalkes, Frank Kramer, përpara ndeshjes hapëse kundër Koelnit të dielën.
Bremeni e nis sezonin në shtëpi kundër Wolfsburgut të shtunën, me kampionin Bayernin që startoi mbrojtjen e titullit ndaj fituesit të Ligës së Evropës, Eintracht Frankfurtit. Edhe pse Schalkes dhe Bremenit iu deshën të prisnin vetëm një sezon për t'u rikthyer, klubet kanë adoptuar qasje të kundërta, ndërsa kërkojnë të qëndrojnë në pjesën e epërme të tabelës në sezonin 2022/23.
Schalke ka sjellë një numër të madh lojtarësh të rinj në skuadrën që fitoi titullin e divizionit të dytë, ndërsa Bremeni ka zgjedhur të qëndrojë me bërthamën e ekipit që fitoi promovimin automatik me vendin e dytë. Werderi do të ketë gjithashtu një shije britanike me mbrojtësin e Përfaqësueses U21 të Anglisë, Lee Buchanan, që vjen nga Derby dhe skocezin Oliver Burke, i cili kaloi një sezon në Bundesligë me Leipzig në 2016-17.
Mbrojtësit Niklas Stark dhe Amos Pieper duhet të ndihmojnë Bremenin të përmirësojë stabilitetin në prapavijë. Më e rëndësishmja për klubin edhe se mbajti Ole Werner, 34 vjeç, që shihet si një nga trajnerët më perspektivë në Gjermani. Werderi ishte në vendin e 10-të sezonin e kaluar kur trajneri u detyrua të largohej, pasi u zbulua se ai i kishte treguar klubit certifikata false të vaksinimit kundër Covid-19. Werner mori përgjegjësinë dhe ishte në gjendje të “rregullonte anijen”, me Bremenin që fitoi 14 nga 20 ndeshjet e mbetura për t'u ngjitur në krye të tabelës, përpara se të përfundonte sezonin në vendin e dytë. Werner ishte zakonisht pragmatik kur u pyet për perspektivat e klubit të premten, duke thënë se “qëllimi duhet të jetë që ne të qëndrojmë në divizion dhe të vazhdojmë të luajmë në Bundesligë vitin e ardhshëm”.
Pavarësisht rënies që pati, Schalke mbetet një nga skuadrat më të mbështetura në futbollin gjerman, me më shumë se 70,000 të pranishëm për një ditë tifozësh në fund të korrikut, shumë larg nga trazirat që përshëndetën rënien e tyre nga kategoria pasi fituan vetëm tri ndeshje në edicionin 2020/21. Schalke, që e fitoi Ligën e Evropës në vitin 1997 dhe luajti në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në vitin 2011, ka sjellë 12 lojtarë të rinj për shtytjen që të rikthehet në elitë.
Kramer zëvendëson popullorin Mike Bueskens, i cili luajti 11 vjet për klubin dhe fitoi tetë nga nëntë ndeshjet e fundit të skuadrës për të siguruar promovimin sezonin e kaluar. Ndeshja e parë zyrtare e Kramerit në krye të Schalkes ishte një fitore 5:0 në Kupën e Gjermanisë ndaj Bremer SV të divizionit të katërt, megjithëse ai pranoi se sfida e pret në Bundesligë.
Mbrojtja e Schalkes do të udhëhiqet nga qendërmbrojtësi Maya Yoshida, me kapitenin e Përfaqësueses së Japonisë që iu bashkua si transferim i lirë pasi i skadoi kontrata me Sampdorian. Mesfushori Alex Kral, specialisti i goditjeve të lira, Florent Mollet, sulmuesi Sebastian Polter dhe anësori Tobias Mohr janë ndër shtesat e tjera të reja në ekip. Vija e parë e Schalkes do të drejtohet ende nga specialisti i kategorisë së dytë, Simon Terodde, i cili shënoi 30 gola në 30 ndeshje në sezonin e fundi. Terodde, 34 vjeç, shënoi 172 gola në 283 ndeshje në divizionin e dytë dhe ka kryesuar listat e golashënuesve të sezonit me katër klube të ndryshme - Bochum në 2016, Stuttgart në 2017, Koeln në 2019 dhe Schalke në vitin 2022.