Sport

Haalandi i gatshëm për të shpërthyer në Premier League

Sulmuesi i Manchester Cityt, Erling Haaland, thotë se nuk është i shqetësuar për adaptimin në Premier League pas transferimit të tij këtë verë nga Borussia Dortmundi.

Sulmuesi norvegjez bëri debutimin e tij për skuadrën e Pep Guardiolas në ndeshjen e Community Shield të së dielës së kaluar kundër Liverpoolit në stadiumin “King Power” dhe pati një mbrëmje frustruese, duke humbur një shans të artë nga gjashtë metra në humbjen e Cityt me rezultatin 3:1. Si transferimi më i madh i kampionit në fuqi të Anglisë përpara sezonit 2022/23, 23-vjeçari e di shumë mirë se pritjet janë të mëdha prej tij. Megjithatë, ai nuk shqetësohet aspak me këtë. Thotë se është i qetë dhe shton se përshtatja në një ligë të re mund të marrë kohë.

“Do të shohim se si do të përshtatem. Disa lojtarë mund të marrin më shumë kohë për t’u përshtatur, ndërsa disa të tjerë përshtaten menjëherë. Nuk jam i shqetësuar për kohë, do të shohim. Kjo është jeta si futbollist dhe duhet të jetosh me të”, ka thënë Haaland. “Do të gjykohem çdo javë për atë që do ta bëj në fushë dhe më duhet të jap më të mirën nga vetja. Do të përpiqem maksimalisht për ta shijuar sezonin me fanellën e Cityt”.

Haalandi ishte fantastik te Borussia Dortmundi. Ai shënoi 86 gola në 89 ndeshje në të gjitha garat për Dortmundin përpara se të transferohet në Angli, duke e bërë veten objektivin kryesor për elitën evropiane në këtë proces. Megjithatë, ai sapo ka mbushur 22 vjet dhe pranon se iu bashkua Cityt për t’u zhvilluar edhe më shumë si lojtar.

“Unë mund të përmirësohem në çdo aspekt te City. Ky është qëllimi im dhe për këtë arsye jam këtu. Nëse të gjithë mendojnë se jam mjaftueshëm i mirë, atëherë gabojnë shumë sepse unë gjithmonë mund të përmirësohem edhe më shumë”, shtoi Haaland.

Sulmuesi pranon se ende nuk është përshtatur mirë me pjesën tjetër të ekipit, por shton se ka besim të madh në aftësitë e trajnerit Pep Guardiola. Haalandi insiston se është sulmues që kërkon të shënojë gola dhe dëshiron ta fitojë secilën ndeshje.

“Si një lojtar i ri, duke luajtur për Pep Guardiolan dhe ekipin më të mirë në Angli, duhet të zhvillohem dhe të përmirësohem në shumë gjëra. Kimia në fushë me lojtarët e tjerë është diçka që do të vijë. Nuk e di nëse do të duhen javë apo muaj, por kjo është diçka që po mundohemi ta ndërtojmë në secilën stërvitje”, u shpreh Haaland. “Unë jam një lojtar që është i uritur për gola, që jep 100 për qind, që dëshiron të fitojë çdo ndeshje të vetme. Ato janë gjëra të thjeshta, por edhe gjëra shumë të rëndësishme”.

Guardiola pritet ta inkuadrojë Haalandin prej fillimit në ndeshjen e parë kampionale kundër West Hamit, që do të jetë edhe debutimi i tij në Premier League. City, të dielën, e nis mbrojtjen e titullit në ndeshjen që e luan në udhëtim tek ekipi londinez. E Haaland, me një buzëqeshje djaloshare, mezi mund t’i përmbajë emocionet përpara debutimit të tij në këtë përballje.

“Unë mendoj se ritmi është vërtet i mirë dhe ka shumë skuadra të mira në një ligë. Cilësia e lojërave gjithashtu. Nuk janë vetëm 2, 3, 4, 5 ekipe këtu, ka më shumë dhe është e bukur. Unë jam rritur në Norvegji dhe të gjithë e shikojnë Premier Leaguen dhe kanë një klub. Mezi pres të ndjej atmosferën dhe rivalitetin tonë kundër ekipeve dhe tifozëve të tjerë. Kam qenë në shumë ndeshje në Angli dhe kjo është diçka që më ka pëlqyer shumë gjithmonë”, insistoi Haaland. “Gjithashtu, ndjesia e lojës, ritmi. Do të jetë e vështirë dhe kjo është gjëja simpatike e Premier Leagues. Është një kampionat i bukur dhe i vështirë, prandaj është liga më e popullarizuar në botë”.

Për të siguruar shërbimet e Haalandit, City ka paguar 67 milionë euro për kartonin e tij, si dhe bonuset që në total mund të shkojnë në mbi 100 milionë euro. Reprezentuesi i Norvegjisë me Cityn ka firmosur kontratë deri në vitin 2027.