Drejtori i Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti, ka thënë se përzgjedhësi Alain Giresse ka kontakte të vazhdueshme me mbrojtësin e krahut të majtë, Leart Paqaradën. Ai nuk ka dashur të flasë më shumë për të ardhmen e Paqaradës te Kosova, por ka thënë se kontaktet janë në mes të francezit Giresse dhe lojtarit të St. Paulit.
Paqarada është një prej lojtarëve më në formë. Ai luan rregullisht te St. Pauli në Bundesligën 2 të Gjermanisë. Në dy ndeshje ka shënuar një gol dhe ka kontribuar me një asistim. Por, Paqarada 27-vjeçar nuk është ftuar së fundi nga Kosova. Paqarada në prill të vitit të shkuar mori vendim që të mos i përgjigjet ftesës së Kosovës për shkak se nuk ishte i kënaqur me minutazhën që ia ofronte atëbotë përzgjedhësi Bernard Challandes. Edhe me ardhjen e përzgjedhësit të ri, Alain Giresse, Paqarada nuk është grumbulluar me Kosovën që nga largimi i tij. Paraqitjen e fundit e ka në marsin e vitit të kaluar, në miqësoren kundër Lituanisë.
“Selektori ka kontakte, por i mbetet atij të marrë vendime”, ka thënë Sahiti për KOHËN. Për Kosovën që prej vitit 2016, në 21 paraqitje ka shënuar një gol dhe ka kontribuuar me dy asistime.