Në tre sezonet e fundit, Nikola Prce ishte ndër lojtarët kryesorë te KH Besa Famgas. Ai me fanellën e ekipit nga Peja fitoi gjithçka që mund të fitohet në hendbollin e Kosovës. Fitoi tre tituj dhe po aq kupa të Kosovës, për ta ndihmuar Besën që të konfirmohet si skuadra më e suksesshme dhe më dominuese në këtë sport në Kosovë. Mirëpo, në sezonin e ri, Prce do ta ketë një rol tjetër te Besa Famgas. Prce në edicionin 2022/23 nuk do të jetë hendbollist, por trajner i ekipit. Besa Famgas në fillim të kësaj jave njoftoi se ka arritur marrëveshje njëvjeçare me Prcen, i cili ka nisur një kapitull të ri pasi i tha lamtumirë karrierës aktive muaj më parë. Prce në këtë post ka zëvendësuar Arben Muqollin, i cili ka marrë detyrën e drejtorit të shkollës së hendbollit te Besa.
“Legjenda e hendbollit të Bosnjë-Hercegovinës, Nikola Prce, është trajner i ri i klubit tonë.
Golashënuesi më i mirë në Përfaqësuesen e Bosnjë-Hercegovinës, si lojtar ishte pjesë e klubit tonë që nga viti 2019 derisa gjatë karrierës së pasur ka luajtur edhe në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë, Spanjë, Austri, Katar, Hungari dhe Poloni. Përvoja e një prej hendbollistëve më të dalluar në rajon do të jetë forcë shtesë e klubit tonë në rrugëtimin në garat vendore dhe ndërkombëtare”, ka shkruar Besa.
Prce prej vitit 2019 është pjesë e hendbollit kosovar dhe shquhej si njëri prej lojtarëve më të veçantë të regjionit. Në fakt, ai është ikonë e hendbollit të Bosnjë-Hercegovinës. 41-vjeçari, në një intervistë për KOHËN, ka thënë se është i gatshëm për aventurën e re, por pranon se nuk do të jetë kjo. Kjo do të jetë përvoja e parë e Prces në zejen e trajnerit.
“Qysh edicionin e shkuar kemi folur me drejtuesit e klubit për t’u angazhuar si trajner, por më dukej paksa herët. Në fakt, më dukej funksion i vështirë të bëhesha trajner-lojtar. Kështu që, për sezonin e ri, së bashku me të gjithë vendosëm që ta marr unë postin e trajnerit”, është shprehur Prce. “Sigurisht, që jam gati edhe pse duhet pranuar se nuk është aspak punë e lehtë. Viti i parë do të jetë i vështirë dhe i panjohur për mua, por shpresoj se gjithçka do të shkojë si është më së miri”.
Po ashtu, Prce thotë se si trajner do ta ndihmojë shumë edhe përvoja e madhe që e ka pasur si lojtar. Ai ka një karrierë të pasur dhe të suksesshme në shumë shtete të Evropës. RK Izvigjaq është klub boshnjak dhe i pari ku Prce ka luajtur në nivel të lartë. Më pas ka vazhduar te Badeli i Zagrebit, Torreveija në Spanjë, Trimo Trebenje në Slloveni. Prapë luajti për Izvigjaqin, përpara se të vazhdonte te Bregenzi austriak, Octavio Vido, Ademar Leon, Puerto Sagunto, Ciudad de Logrono në Spanjë. Ishte edhe tek Al-Saddi në Katar, te Pick Szegedi në Hungari, Azoty në Poloni përpara se t’i bashkohej Besës.
“Kam një karrierë të pasur si lojtar dhe besoj që edhe kjo do të jetë një ndihmë e madhe për mua në vitin e parë si trajner. Kam ndërruar shumë klube dhe prej secilit kam marrë diçka sa u përket njohurive. Kështu që, mendoj se më mjafton kjo”, insistoi Prce.
Prce është kroat nga Bosnjë-Hercegovina. Për Bosnjën, ku ishte kapiten për kohë të gjatë, Prce i ka luajtur rreth 120 ndeshje. Dhe i ka realizuar plot 288 gola, pa llogaritur miqësoret. Pra, vetëm në ndeshje zyrtare me përfaqësuese shtatlarti ka 288 gola. Gjithsej, beku i majtë ka 535 gola të shënuar në ndeshje ndërkombëtare. Sigurisht, synimi i tij si trajner te Besa është mbrojtja e trofeve që i ka fituar si lojtar.
“Synimi i parë është titulli i kampionit dhe Kupa e Kosovës, i cili patjetër se duhet të arrihet dhe mendoj se është synim real. Unë e njoh mirë ekipin dhe po ashtu pothuajse të gjithë lojtarët, që do të thotë se nuk do të kem aspak nevojë për ambientim pasi prej vitit 2019 jam pjesë e Besës. Mendoj se do ta kem përkrahjen e të gjithëve”, u shpreh Prce.
Megjithatë, Prce shpreson që në sezonin e ri, konkurrenca në Superligë të jetë dukshëm më e fortë sesa sezonet e fundit. Ai tha se pret që të forcohen edhe skuadrat e tjera, në mënyrë që rivaliteti të jetë më i madh, liga të bëhet më e fortë dhe më interesante. Edicioni 2022/23 në Kosovë nis më 17 shtator.
“Do të doja që sezoni i ti të jetë më interesant dhe të kemi më shumë konkurrencë. Më vjen shumë keq që në hendboll nuk ka shumë rivalitet e shikueshmëri. Liga nuk është aq e fortë dhe dallimi është shumë i madh”, pranoi Prce. “Do të doja që të gjitha ekipet të forcohen. Kastrioti e Rahoveci kanë investuar, kurse aty është edhe Prishtina. Shpresoj që edhe Vëllaznimi e Trepça të jenë të forta. Kjo do të ishte shumë e mirë për hendbollin kosovar”.
Besa për sezonin e ri, tashmë e ka zyrtarizuar një lojtar. Bëhet fjalë për pivotin Ivan Majiq nga Kroacia. 25-vjeçari ka firmosur kontratë njëvjeçare, kurse te Besa Famgas është transferuar nga ekipi qipriot, Sabbianco Anorthosis Famagusta.
“Ne tashmë kemi marrë një lojtar dhe në sezonin e ri, në përgjithësi do të jetë ekipi i njëjtë. Do të shikojmë vetëm edhe për një portier”, shtoi Prce.
Ai planifikon që fazën përgatitore për edicionin e ri ta nisë javën e ardhshme, më 4 gusht. Synon që ekipi të jetë sa më i përgatitur edhe për garat evropiane. Besa do të paraqitet në Kupën Evropiane dhe garat i nis nga raundi i dytë. Besa është bartëse në short, i cili do të tërhiqet më 20 shtator.
“Do të jetë shumë vështirë, shpresoj të kemi edhe fat në short. Nëse kemi fat, do të mund të avancojmë përtej raundit të dytë, sepse ka shumë ekipe të forta”, pranoi Prce.