Sport

Van Bommel synon eliminimin e Dritës

Trajneri i Antwerpit, Mark van Bommel, tha se pret që ekipi i tij ta eliminojë Dritën në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Van Bommel, të mërkurën ka insistuar se Antwerpi e dëshiron me çdo kusht kalimin në raundin e tretë. Po ashtu, ai tha se shpreson që fituesi i kësaj përballjeje të mos vendoset pas penalltive.

Dueli mes Dritës dhe Antwerpit, zhvillohet të enjten prej orës 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave që u luajt javën e shkuar në Belgjikë, ka përfunduar me rezultatin 0:0.

“Duhet të sigurohemi që të avancojmë në raundin tjetër. Si do të avancojmë nuk ka rëndësi. Nuk e di se si do të paraqitet Drita, por shpresojmë të shënojmë të parët. Është e sigurt se nuk do të jetë aspak lehtë”, është shprehur Van Bommel.

“Ne kemi gjuajtur penalltitë në stërvitjen e fundit para nisjes për në Kosovës, por nuk kemi stërvitur enkas për një gjë të tillë. Ne duhet të sigurohemi që mos të vijë puna deri te penalltitë”.

Fituesi i ndeshjes mes Dritës dhe Antwerpit, në raundin e tretë kualifikues do të përballet me fituesin e duelit tjetër ndërmjet ekipit nga Finlanda, SJK dhe Lillestromit të Norvegjisë.

Ndeshjen e parë, e ka fituar Lillestromi me rezultatin 1:0.