Liepaja dhe Gjilani po e zhvillojnë ndeshjen e kthimit të rrethit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Pjesa e parë e duelit që po luhet në stadiumin “Daugavas” në Liepaja të Letonisë, është mbyllur 0:0.
Asnjëra skuadër nuk ka arritur të krijojë shumë raste të pastra në 45 minutat e parë.
Gjilani mundësinë më të mirë e kishte me Blerim Krasniqin, por gjuaja e tij shkoi jashtë. Gjilanasit nuk goditen asnjëherë brenda kornizës, kurse vendasit patën dy gjuajtje, por portieri Enea Koliçi ishte në vend.
Në përgjithësi, pjesa e parë është karakterizuar me shumë ndërprerje si pasojë e ndërhyrjeve të palejuara, sidomos të vendasve.
Katër lojtarë të Liepajas u ndëshkuan me karton te verdhë, kurse vetëm Aziz Keita te Gjilani.
Ndeshjen e parë Gjilani e ka fituar në Prishtinë 1:0 dhe me çdo fitore ose barazim sot, kalon tutje.
Skuadra që e siguron kalimin në raundin e dytë, do të përballet me Young Boys të Zvicrës.