Sport

Festa e Ballkanit pas shortit, mbetet e vetmja në Champions

Mesditën e 14 qershorit pati festë në kampin e klubit të Ballkanit. Kampionët e Kosovës shpërthyen në brohoritje sapo mësuan emrin e kundërshtarit në rundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Megjithatë, kampioni i Lituanisë, Zhalgirisi, u doli arrë e fortë.

Të martën, Ballkani u eliminua nga gara ku debutoi. U mposht në vazhdime 1:0 dhe me rezultat të përgjithshëm 2:1.

Një video e shpërndarë nga klubi në rrjetet sociale pati bërë bujë në kohën kur UEFA hodhi shortin për rundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Përveç festës së lojtarë, dhe trajneri Ilir Daja u duk në humor. “U kënaqët!”, shihet teksa u thotë ai me buzëqeshje lojtarëve të tij.

Por fusha tregoi krejtësisht diçka tjetër.

Edhe pse Ballkani në ndeshjen e parë zhvilloi lojë të mirë, pavarësisht barazimit 1:1, ajo e kthimit la shumë për të dëshiruar.

Në Vilnius të Lituanisë, kampioni i Kosovës nuk tregoi shumë nga ajo çfarë kishim parë një javë më parë. Dhe u eliminua pas 120 minutave.

Megjithatë, Ballkani ëndrrën evropiane do ta vazhdojë nga rundi i dytë kualifikues i Ligës së Konferencës, me shpresë se në këtë garë do të lë shenjë.