Sport

Llapi mbështetet te “grupi i lojtarëve” për duelin me Buduqnostin

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, parasheh përballje të zjarrtë të enjten në Podgoricë me Buduqnostin.

Batatina thotë se drejt kryeqendrës së Malit të Zi nuk kanë udhëtuar me flamur të bardhë. Ai thekson se Llapi mbështetet te grupi i lojtarëve për ndeshjen me Buduqnostin.

Ndeshja e parë e rundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës në mes të Buduqnostit dhe fituesit të Kupës së Kosovës, Llapit, zhvillohet të enjten nga ora 20:30. Ndeshja e kthimit luhet më 14 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Llapi në këtë ndeshje do të mbështetet në grupin e lojtarëve dhe përvojën që tash e kemi si skuadër, pasi është hera e dytë rresht që marrim pjesë në garat evropiane. Nuk do të kemi mungesa. Do të mungojë vetëm Benjamin Emini, që është i suspenduar nga edicioni i kaluar”, ka thënë Batatina të mërkurën për KOHËN.

Për Llapin është hera e dytë që merr pjesë në kualifikimet e Ligës së Konferencës, nivelit të tretë evropian për klube.

Udhëtimi deri në Podgoricë nuk ka qenë i gjatë për llapjanët. I gjatë nuk ishte as vitin e kaluar, kur Llapi u përball me Shkupin. Llapjanët në debutim u eliminuan në rundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës, me rezultatin e përgjithshëm 3:1.

Batatina mendon se këtë herë do të jetë më ndryshe.

“Shpresojmë shumë në rezultat pozitiv. Kemi forcën dhe kualitetin, por do të jetë një ndeshje e zjarrtë, mendoj nga të dyja skuadrat”, është shprehur Batatina.

Llapit ditë më parë i është larguar lojtari më i mirë i sezonit të kaluar, Valmir Veliu. Por, llapjanët transferuan golashënuesin më të mirë të sezonit 2021/2022 në Superligën e Kosovës, Gerhard Progni. Përveç futbollistit nga Shqipëria, Llapi bëri edhe disa përforcime.

Për pjesëmarrjen në kualifikimet e Ligës së Konferencës, Llapi është përgatitur në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Batatina insiston se skuadra është mirë e përgatitur për ndeshjen ndaj Buduqnostit, ekipit më të njohur të Malit të Zi.

“Kemi punuar dhe jemi përgatitur në mënyrën më të mirë të mundur, duke e ditur se na pret një ndeshje e vështirë. Forma e skuadrës duket e mirë dhe të gjithë lojtarët janë të gatshëm ta japim maksimumin në këtë sfidë”, ka thënë Batatina.

Nëse Llapi e kalon këtë rund garash, atëherë në rundin e dytë kualifikues do të luajë kundër fituesit të ndeshjes ndërmjet Breidablikut të Islandës dhe Santa Colomas nga Andorra.

Kapiteni i Llapit, Bujar Idrizi, po ashtu vlerëson se sfida ndaj Buduqnostit do të jetë e vështirë.

“Kemi pritje të mëdha këtë edicion, por na pret një ndeshje e vështirë. Kemi përballë një kundërshtar mjaft cilësor. Shpresojmë në një rezultat të favorshëm për ndeshjen e kthimit”, është shprehur Idrizi për KOHËN.

Edhe Ilir Krasniqi thotë se Llapi synon të kthehet me rezultat pozitiv nga Podgorica.

“Do ta kemi një përballje mjaft të vështirë në një terren mjaft të nxehtë. Synimi jonë është të dalim të pamposhtur nga ai stadium. Besoj në grupin e lojtarëve që kemi. Jemi të bashkuar dhe shpresoj në rezultat pozitiv”, ka thënë Krasniqi për KOHËN.

Në Ligën e Konferencës paraqiten disa skuadra shqiptare.