Sport

Alaudin Suma i fundit në Lojërat Mesdhetare

Alaudin Suma ka mbetur i fundit në hedhje të diskut në Lojërat Mesdhetare. Suma garoi të dielën mbrëma dhe kishte hedhje larg prej atyre që kërkohen për të shmangur pozitat e fundit.

Në hedhje të diskut garuan 14 garues.

Suma hedhjen më të mirë e kishte 43:90 metra. Larg prej rekordit të tij të evidentuar, që është 48.90 metra. Këtë vit rezultati i tij më i mirë ishte 47.59 metra.

Suma fillimisht realizoi hedhje prej 43.90 metra. Në tentimin e dytë disku shkoi 43.20 metra, ndërsa hedhja e tretë ishte edhe më e zbehtë, 42.13 metra. I parafundit (13) ishte maltezi Bradley Mifsud. Ai kishte rezultat prej 48.25 metra. Ndërkohë i 12-ti ishte spanjolli Diego Casa Garrido me hedhjen më të mirë prej 54.80 metra.

20 metra më shumë se Suma diskun e ka hedhur qiprioti Apostolos Parellis. Ai fitoi të artën me rezultat prej 63.59 metra. Martin Markoviq i Kroacisë fitoi medaljen e argjendtë me rezultat prej 62.49 metra, ndërsa e bronzta i takoi malazezit Danijel Furtula me hedhjen më të mirë prej 61.74 metra.