Sport

Gjilani ndryshon shumëçka, por jo edhe synimet

Klubi i futbollit Gjilani ka bërë shumë ndryshime për edicionin e ri. Ka ndryshuar trajner e lojtarë derisa ndryshimet kanë prekur edhe një pjesë të stafit organizativ të klubit. Por synimet i ka të vjetra.

Gjilani synon ta ndjekë edhe në edicionin 2022/2023 titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës. Por, para se ta nisë misionin për titull dhe për Kupë, Gjilani do të paraqitet në garat e Evropës. Në gara kontinentale, përkatësisht në Ligën e Konferencës, Gjilani ka synime të kalojë sa më shumë raunde. Garën do ta nisë në raundin e parë kualifikues dhe përballë të enjten do ta ketë Liepajan e Letonisë. Ndeshja e parë luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa ajo e kthimit më 14 korrik në Letoni.

Trajner i ri i Gjilanit, Zekirija Ramadani, respekton kundërshtarin por shton se ka ekip për të kaluar tutje.

“Kemi parë deri tash tri ndeshje në analizë. Analizën e radhës do ta bëjmë për ndeshjen ndaj Rigas. Është kundërshtar i mirë. Faktor i rëndësishëm është që ka mbaruar vetëm pjesa e parë e kampionatit dhe është në formë optimale. Besoj se kemi kualitet, por duhet t’i përshtatemi këtij formati të garave, nuk duhet të na kapë euforia. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të shfrytëzojmë çdo moment që do të na jepet. Nuk duhet të lëmë shumë hapësira prapa, sepse kundërshtari është mjaft i rrezikshëm. Ndoshta mbrojtja nuk është i të njëjtit kualitet siç është sulmi, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm prapa dhe të jemi cinikë në çdo situatë”, ka thënë Ramadani për KOHËN të dielën.

Në edicionin 2020/2021, Gjilani u ndal në raundin e parë të kualifikimeve të Ligës së Evropës. Pasi kaloi fazën parakualifikuese, Gjilani humbi nga APOEL Nicosia e Qipros.

Në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës do të marrin pjesë edhe Drita dhe Llapi, ndërsa në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve garon kampioni, Ballkani.

Gjilani të shtunën njoftoi për përfundimin e bashkëpunimit me tetë futbollistë: Ylber Kastrati, Gerhard Progni, Franc Veliu, Oltion Rapa, Muhamed Useini, Tomislav Sorsa, Donjet Shkodra dhe Fiton Hajdari.

Ish-kapiteni Kastrati është pensionuar nga futbolli në fund të edicionit të kaluar, ku Gjilani përfundoi në vendin e tretë me 62 pikë.

Të arriturën më të madhe Gjilani e pati para dy dekadash. Në vitin 2000 fitoi Kupën e Kosovës.

Deri tash është përforcuar me Përparim Islamin, Mevlan Zekën, Baton Zabërgjën dhe Besart Krivanjevën. Pas përfundimit të garave evropiane, Gjilanit do t’i bashkohet nga Llapi edhe Arbnor Ramadani.

Trajneri shkupjan tha se do të ketë mungesa për ndeshjen kundër klubit nga Letonia.

“Nuk mund të jemi të kompletuar. Kapiteni Besar Musolli dhe Edison Kqiku janë të lënduar, ndërsa dy i kemi të suspenduar. Mevlan Zeka dhe Torrasa janë me kartonë të kuq, por mendoj se kemi kontingjentin e duhur dhe kemi mjaftueshëm futbollistë që besoj se mungesa e tyre nuk do të vërehet në fushë”, është shprehur Ramadani.

Ramadani insiston se ka lojtarë të tjerë që mund ta marrin përgjegjësinë për ta ndihmuar ekipin drejt arritjes së qëllimeve.

Një prej tyre është edhe Yll Hoxha.

“Aq sa kemi njohuri është një kundërshtar mjaft i fortë dhe ndoshta është në përparësi ndaj nesh, sepse është në mes të kampionatit me një ecuri që realisht është një përparësi. Por qëllimi ynë është ta kalojmë këtë raund të garave”, ka thënë Hoxha.

Edhe Armend Halili është i vendosur të japë më të mirën për t’i realizuar synimet në Evropë.

“Jemi duke u përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. Në këtë raund të garave nuk ka favorit, por synimi ynë është ta kalojmë raundin e parë dhe të vazhdojmë tutje”, është shprehur Halili.

Gjilani vlerësohet prej klubeve më të organizuara dhe më të kompletuara në vitet e fundit. Por asnjëherë nuk ka arritur ta fitojë titullin.

“Dëshirat janë shumë të mëdha, por duhet ta japim maksimumin. Nuk duhet të mendojmë për fundin e kampionatit asnjëherë, sepse fundi vjen duke i kaluar ndeshjet një pas një. Ne duhet të përgatitemi për ndeshjen e radhës. Për momentin duhet të bëhemi gati për ndeshjen ndaj Lijepajas dhe nuk na intereson fare asnjë kundërshtar tjetër. Do të punojmë për këtë, do të mundohemi të jemi sa më të kompletuar. Duhet të shfaqemi me seriozitetin më të lartë në stërvitje. Lehtë nuk do të jetë, por nëse arrijmë ta bëjmë një gjë të tillë, objektivi është i arritshëm”, ka thënë trajneri Ramadani.

Shpresë për ta fituar titullin kanë edhe futbollistët.

“Ne do të hyjmë me qëllime të njëjta që sërish ta arrijmë Evropën. Synim i Gjilanit është Evropa dhe kam besim që këtë sezon do të jemi mjaft të fortë”, është shprehur Hoxha.

Mbrojtësi Armend Halili thotë se do ta ndjekin fuqishëm garën për titull dhe për Kupë.

“Edhe pse ka pasur disa largime, ato janë zëvendësuar, që janë prurje shumë të mira dhe besoj se do të hyjmë fuqishëm për ta ndjekur titullin e kampionit”, ka thënë Halili.

Edicioni i ri i Superligës së Kosovës nis më 13 gusht.