Sport

Kosova, Spanja e Turqia me nga tri të arta në xhudo

Kosova është prej përfaqësueseve më të suksesshme në garat e xhudos në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Oran të Algjerisë. Ekipi i Kosovës në xhudo kthehet nga Orani me pesë medalje gjithsej, prej tyre tri të arta.

Nga tri të arta i kanë vetëm edhe Spanja e Turqia, që ka disa xhudistë të natyralizuar.

Spanja është e para në renditje, pasi e ka edhe një të argjendtë e tri të bronzta. Ndërkohë Kosova është e dyta me tri të arta e dy të bronzta. Turqia është e treta në ranglistë me tri të arta e një të bronztë.

Nga një medalje të artë e kanë fituar Algjeria, Franca, Serbia, Sllovenia e Egjipti.

Pa medalje në xhudo kanë mbetur këto vende: Portugalia, Mali i Zi, Qipro, Siria, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Libani, Libia dhe Monako. Medalje kanë fituar 14 shtete: Spanja, Kosova, Turqia, Algjeria, Franca, Serbia, Sllovenia, Egjipti, Tunizia, Italia, Kroacia, Maroku, Greqia e Bosnjë-Hercegovina.

Spanja mori pjesë me 13 xhudistë, ndërsa Turqia kishte ekip të kompletuar me 14 xhudistë. Kosova kishte tetë xhudistë pjesëmarrës. Nëse përpjesëtohet numri i pjesëmarrësve me numrin e medaljeve, atëherë Kosova është bindshëm më e suksesshmja.