Sport

Mallorca nuk është dorëzuar për Muriqin

Skuadra nga La Liga, Mallorca, nuk është dorëzuar në garën për transferimin e sulmuesit të Kosovës, Vedat Muriqi. Këtë e ka pranuar edhe presidenti i klubit, Alfonso Diaz që ka thënë se negociatat me Lazion po vazhdojnë ende.

Ai ka pranuar se kërkesa e Lazios për ta liruar Muriqin është e lartë, por ka shtuar se do të përpiqet ta sigurojë transferimin e Muriqin.

Sipas tij, Muriqi është sulmuesi që Mallorca po e dëshiron për sezonin e ri.

Në gjashtë muajt e fundit të këtij sezoni, Muriqi luajti te Mallorca dhe ndihmoi klubin ta sigurojë qëndrimin në La Liga edhe për sezonin e ri. Ai shënoi katër gola dhe asistoi tri herë në 15 paraqitje.

Mallorca kishte opsionin e blerjes së Muriqit, por kërkesa e Lazios prej 12 milionë eurosh ishte e lartë për klubin.

“Shifrat që Lazio po kërkon janë të komplikuara për ne, por çështja është ende në tavolinë. Ai është lojtari që ne e duam, por do të shohim çka do të ndodhë. Nuk është situatë e thjeshtë”, ka thënë Diaz.

Muriqi 28-vjeçar ka kontratë me Lazion deri në vitin 2025.