Sport

Boksieri Bajoku me medalje në Algjeri

Boksieri Shpejtim Bajoku kaloi pa vështirësi në gjysmëfinale të Lojërave Mesdhetare “Oran 2022”. Ai fitoi bindshëm përballë boksierit nga Egjipti, Amen Essam, në kategorinë deri 63 kilogramë. Fitoi 3:0 me vlerësim të gjyqtarëve. Me kalimin në gjysmëfinale, 21-vjeçari siguroi medalje në Oran. Bajoku është ndarë i lumtur me suksesin e deritashëm në Lojërat Mesdhetare, ku synon medaljen e artë. Në gjysmëfinale të enjten, Bajoku ka përballë boksierin nga Algjeria, Yahia Abdelli.

“Jam shumë i lumtur për këtë sukses të deritashëm. Synimi im ka qenë të fitoj medalje dhe këtë edhe ia arrita. Do ta jap maksimumin për të shkuar në finale. Pse jo edhe ta fitoj të artën”, ka thënë Bajoku për KOHËN.

Para Shpejtimit në ring u ngjit edhe vëllai Bashkimi. Ai në çerekfinale u mposht nga turku Samet Gumus me rezultatin 2:1, në kategorinë deri në 52 kilogramë. Në çerekfinale, Bajoku u kualifikua pa luftë. Trajneri Besim Brahimi ka thënë se ka pritur sukses nga Bajoku.

“Në vitin 1989 apo 1990 Ilir Mustafa ka fituar medalje në Lojërat Mesdhetare dhe Kosova që nga ajo kohë nuk kishte medalje në këtë ngjarje. Është kënaqësi që kemi arritur Kosovës t’ia sigurojmë medaljen. E kam ditur se me vëllezërit Bajoku dhe Patriot Behramin do të sigurojmë medalje. Bashkimi boksoi mirë dhe ishte afër fitores, por për kundërshtar kishte një kampion të Evropës. E respektoi më shumë se duhet. Bashkimi dha gjithçka nga vetja. Patriotit iu shfaq një lëndim i vjetër dhe nuk ia doli. Por pritjet nga të tre boksierët dhe Lorent Murati i kam të mëdha”, ka thënë Brahimi për KOHËN. “Kosova ka talente, por i duhet më shumë mbështetje financiare. Shpejtimi ka luftuar si luan. Ka luftuar me mençuri dhe nuk i dha rast as gjyqtarëve ta dëmtojnë. Besoj se do të shkojmë në finale edhe pse kundërshtari tij mposhti kampionin e Evropës dhe nënkampionin e botës”.

Ndërkohë, në gara të mërkurën u paraqitën edhe shigjetarët. Hazir Asllani, Edi Dvorani dhe Valmir Gllareva u mposhtën 6:0 Qipro. Prej gjashtë gjuajtjeve me shigjetë, Asllani mbolli 49 pikë, Dvorani 42, ndërsa Gllareva 46. Në garat individuale tutje kanë shkuar Gllareva dhe Dvorani. Të dy janë kualifikuar pa zhvilluar gara. Të enjten do të paraqiten në 1/16 e finales, derisa Hazir Asllani humbi nga shigjetari algjerian, Ayoub Rahlaoui, me rezultat të përgjithshëm 6:2.