Sport

Gara për vend të titullarit te Drita pritet të jetë e ashpër

Ende pa kaluar 24 orë nga disfata e pësuar në finale të Kupës së Kosovës nga Llapi, Drita nisi punën për garat kualifikuese të Ligës së Konferencës dhe për edicionin e ri në Superligë. E nisi me dy njoftime. Njoftoi për largimin e ndihmëstrajnerit Alban Dragusha dhe të futbollistit Astrit Fazliu. Më pas në faqen e klubit “bardhekaltër” dominuan lajmet për prurjet e reja. Lajmet nuk munguan edhe për vazhdim të bashkëpunimit.

Të parin që e transferoi Drita ishte mbrojtësi i krahut të djathtë, Besnik Krasniqi. Më pas transferoi edhe lojtarë të tjerë të dëshmuar në futbollin kosovar si Blend Baftiu, Florian Smakiqi, Iran Junior, Leonat Vitija dhe Kastriot Selmani. Drita e Gjilanit vazhdoi kontratën me Ilir Blakoqirin, Marko Simonovskin dhe Hamdi Namanin. Promovoi talentet Eron Isufi dhe Eridon Maloku, ndërsa largoi Leutrim Rexhepin, Betim Haxhimusën, Ardian Cuculin dhe Përparim Islamin.

Lojtarët e transferuar luajnë në pozita të ndryshme. Por për secilën pozitë konkurrenca është e fortë marrë për bazë prurjet dhe ata që kanë mbetur te Drita.

Drita ka mbajtur Muharrem Jasharin, Rron Brojën, Almir Ajzerajn, Arbnor Mujën dhe shumë të tjerë. Të gjithë këta synojnë të jenë startues. Por jo për të gjithë do të ketë vend.

Në klub parashikojnë garë të fortë mes lojtarëve për pozitën e titullarit. Këtë e vlerësojnë pozitive. Drejtori sportiv, Valon Zymberi, thotë se për secilën pozitë janë të paktën dy konkurrentë të fortë.

“Qëllimi ka qenë që të kemi një skuadër me lojtarë të përafërt për nga niveli. Vetëm në këtë formë, ku askush nuk e di se a do të luaj në fundjavë apo mesjavë, ekipi bëhet më konkurrues. Asnjë lojtari nuk i është rezervuar vendi i titullarit. E kanë ditur të gjithë që te Drita ka konkurrencë dhe duhet të luftojnë për ta arritur vendin në përbërje të parë. Kjo e rritë konkurrencën e ekipit. Kemi punuar për të ardhur në një ditë për të bërë dy lojtarë shumë të fortë në një pozitë dhe asnjëri prej tyre të mos e dijë se cili do të jetë startues. I mbetet trajnerit për të vendosur se cilin lojtar do ta angazhoj në lojë. Jona është ta krijojmë ekipin kualitativ, e trajnerit të vendosë”, ka thënë Zymberi.

Ai thotë se Drita do ta kërkojë suksesin në garat e Kosovës edhe edicionin e ardhshëm. Ekipin, siç thotë Zymberi, ia kanë kompletuar trajneri shkupjan, Ardian Nuhiu.

“Kërkesa e shtabit ka qenë të ruajmë grupin, gjë që e kemi bërë dhe të shtojmë konkurrencën, të sjellim energji të reja. E kemi parë se ku kemi nevojë për të shtuar konkurrencën. Kemi qenë goxha aktiv, por edhe më herët kemi ditur se çfarë po kërkojmë. Kemi punuar mjaft mirë në këtë afatit kalimtar. Kërkesat e stafit që të reagojmë në pikat ku është parë e nevojshme i kemi realizuar. Qëllimi ka qenë të godasim me lojtarë që e njohin futbollin tonë dhe që ne i njohim cilësitë e tyre”, është shprehur Zymberi.

Drita është duke u përgatitur për kualifikimet e Ligës së Konferencës në Ohër. Në raundin e parë kualifikues do ta luaj kundër Inter Turkut të Finlandës. Te Drita insistojnë se do të mundohen që të shkojnë sa më larg në garat evropiane.

“Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë, ekipi ka stërvitur rregullisht e po ashtu ka luajtur edhe ndeshje miqësore, aq sa edhe është kërkuar nga shtabi teknik. Nuk kemi pasur fat në short, por qëllimi gjithsesi do të jetë kalimi i sa më shumë rundeve në kupat e Evropës”, ka thënë Zymberi.