Sport

Sejdiut i mjaftojnë dy minuta për ta vendosur derbin e Suedisë

Patriot Sejdiu ka bërë hap gjigant drejt stabilizimit te kampioni i Suedisë, Malmo. Të hënën mbrëma sulmuesi 22-vjeçar u aktivizua në minutën e 89-të në ndeshjen derbi ndaj Helsingborgut. Rezultati ishte 1:1.

Dhe menjëherë në minutën e 91-të, futbollisti kosovar shënoi për 2:1, përkatësisht për fitoren e madhe të Malmos. Sejdiu pranoi top në zonë dhe me qetësi kaloi një mbrojtës të Helsingborgut. Gjuajti saktë për festë të madhe në tribunat e stërmbushura me shikues. Për të ishte goli i parë në pesë paraqitje në Allsvenskan.

Deri më tani te Malmo nuk i kanë besuar shumë, por goli i së hënës mund ta ndryshoi situatën. Malmo është në vendin e pestë me 21 pikë nga 12 ndeshje.