Sport

Trepça me synime të mëdha për sezonin e ri

Descriptive Text

Sikurse verën e shkuar, edhe këtë verë KB Trepça ka nisur e para ta kompletojë ekipin për sezonin 2022/23. Edhe verën e kaluar Trepça nuk ishte vetëm e para që u kompletua, por ishte edhe e para që nisi me fazën përgatitore. E tani ekipi nga Mitrovica bëhet i pari në Superligën e Kosovës në basketboll që ka nisur të forcohet për edicionin e ri, i cili pritet të nisë në muajin shtator. Pasi e mbylli sezonin e fundit, në të cilin e fitoi Kupën e Kosovës dhe arriti në finale të Superkupës dhe serisë së plejofit, Trepça e sezonit të ri po merr formë.

Pak pasi e përfundoi sezonin, Trepça e konfirmoi trajnerin Lubomir Minchev edhe për një vit, ndërsa pas tij edhe lojtarët vendorë që e patën barrën kryesore edicionin e fundit: Drilon Hajrizin, Amin Hotin, Samir Zekiqin e Valdrin Haxhiun. Ditët e fundit Trepça ka bërë transferime bombastike duke sjellë në radhët e veta dy prej lojtarëve më të mirë në basketbollin kosovar dhe një lojtar nga SHBA-ja. Pas Erjon Kastratit, te Trepça u zyrtarizua Mikaile Tmushiqi e qendra amerikane Jahsim Floyd. Kastrati e Tmushiqi ishin pjesë e Yllit sezonin e shkuar dhe ndër më të merituarit që ekipi nga Suhareka e mbrojti titullin e kampionit. Kastrati ia siguroi titullin në ndeshjen e katërt të serisë finale me trepikësh në fund, ndërsa Tmushiq u zgjodh MVP i plejofit. Floydi erdhi nga ligat e ulëta amerikane.

Me këto përforcime Trepça duket se është kompletuar në aspektin e lojtarëve vendorë. Drejtori sportiv i Trepçës, Izet Tahiri, ka thënë se tani po punohet për lojtarët e huaj dhe synimi është që ekipi të kompletohet deri në muajin e ardhshëm. Sipas tij, Trepça edhe këtë vit do ta fillojë fazën përgatitore më datën 1 gusht, sikurse vitin e shkuar.

“Fillimisht kemi vazhduar bashkëpunimin me lojtarët kyç të ekipit që ishin sezonin e fundit, vendorët si Hajrizi, Hoti, Zekiqi dhe kapiteni Haxhiu. Po ashtu, edhe trajneri Minchev do të jetë në krye të ekipit edhe për sezonin e ri. Tani, kemi sjellë dy reprezentuesit e Kosovës, Kastratin e Tmushiqin, dhe sa u përket vendorëve me përvojë, pothuajse e kemi kompletuar ekipin. I kemi edhe disa të rinj që do t’i mbajmë dhe tani jemi në përpjekje e sipër për të siguruar edhe lojtarë të huaj. Besoj se do të kompletohemi me kohë”, është shprehur Tahiri të shtunën për KOHËN. “Natyrisht, plani është që zytrarisht të fillojmë me stërvitje prej datës 1 gusht. Kështu që, para kësaj date duhet ta kompletojmë ekipin për sezonin që po vjen dhe të jemi plotësisht gati në çdo aspekt”.

Sa u përket lojtarëve të huaj, Tahiri nuk dha shumë detaje. Pranoi se janë duke e hulumtuar tregun dhe do të përpiqen të angazhojnë më cilësorët. Sezonin e shkuar Trepça ishte ndër ekipet e vetme të Superligës që nuk bëri ndërrime të mëdha në lojtarë të huaj. Madje, disa prej tyre arritën ta përfundonin komplet sezonin me fanellën e Trepçës.

“Do të ketë ardhje të tjera dhe kjo është e sigurt. Po e eksplorojmë tregun vendor dhe ndërkombëtar. Jam i bindur se me kohë do t’i anagzhojmë edhe të huajt. Edhe ndihmesë e madhe që ta kompletojmë ekipin qysh prej fillimit të fazës përgatitore, në mënyrë që të komponohet. Kështu veprojnë të gjitha ekipet profesionale dhe kur komponohesh me kohë, atëherë sigurisht se ke përparësi. Me këto veprime edhe ne si klub po shkojmë drejt profesionalizimit dhe kjo është shumë e rëndësishme”, u shpreh Tahiri.

E sa u përket synimeve në sezonin e ri, Tahiri pranon se Trepça do të luftojë në të gjitha frontet dhe do të synojë të gjithë trofetë. Mirëpo, ai shtoi se nuk do të jetë e lehtë për shkak se pret që konkurrenca të jetë e fortë edhe nga skuadrat e tjera.

“Sa u përket synimeve në sezonin e ri, sigurisht se janë trofetë pasi ekipin e kemi cilësor me një trajner shumë profesional. Po ashtu, edhe kushtet janë të gjitha dhe pse mos të kërkojmë trofetë”, ka insistuar Tahiri. “Mirëpo, një gjë është e sigurt, ne si bord i klubit e kemi parasysh se nuk do të jetë aspak lehtë përkundër përparësive që i kemi si ekip. Me rëndësi është se askush në ekip nuk do të ketë presion, pasi do të shohim si do të rrjedhin gjërat kur të fillojë sezoni”, u shpreh Tahiri.

Përveç Trepçës që pothuajse ka kompletuar një pjesë të konsiderueshme të ekipit për sezonin e ri, skuadrat e tjera të Superligës së Kosovës nuk kanë bërë ndonjë lëvizje. Deri më tani vetëm Golden Eagle Ylli dhe Sigal Prishtina kanë konfirmuar trajnerët për sezonin 2022/23. Yllin do të vazhdojë ta udhëheqë Adis Beçiragiqi që i fitoi dy tituj të kampionit, ndërsa te Prishtina është kthyer turku me prejardhje shqiptare Ekrem Memnun, pas 17 vjetësh. Trepça nuk e ka fituar titullin e kampionit të Kosovës tashmë një dekadë.