Bayer Leverkuseni ia ka vazhduar kontratën Florian Wirtzit deri në verën e vitit 2027.
Lajmi është konfirmuar nga skuadra e Bundesligës gjermane në “Twitter” të enjten.
“Floriani është lojtar i veçantë. Ai ka rëndësi të madhe sportive për klubin tonë dhe ne ia ofruam atij mundësinë më të mirë në karrierën sportive. Së bashku mund të arrijmë shumë”, ka thënë drejtori sportiv Simon Rolfes.
Wirtz u transferua te Leverkuseni nga rivali lokal Koelni, në janar të vitit 2020.
“Mendoj se zhvillimi në dy sezonet e fundit ka qenë shumë i madh dhe ka qenë e qartë për mua. Dua ta falënderoj ekipin me të cilin kam kaluar kohë fantastike. Djemtë e skuadrës janë arsyeja pse unë ndihem mirë këtu”, ka thënë Wirtz.
19-vjeçari në sezonin që përfundoi i zhvilloi 31 ndeshje në të gjitha garat. Shënoi 10 gola dhe pati 14 asistime.