Sport

Basketboll, Hot ftohet për herë të parë te Kosova

Descriptive Text

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Christos Marmarinos ka publikuar listën e zgjeruar të basketbollistëve për ndeshjen kundër Danimarkës në kuadër të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”, ka njoftuar Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) të enjten.

Në këtë listë, greku Marmarinos ka ftuar 14 basketbollistë, në mesin e të cilëve për herë të parë është Amin Hot që sezonin e fundit ishte pjesë e KB Trepçës dhe ka luajtur si vendor pasi ishte natyralizuar. Po ashtu, për herë të parë janë ftuar edhe Ardit Pepaj e Etnik Peci. Lista do të reduktohet para duelit me Danimarkën, që Kosova e luan në udhëtim më 30 qershor. Stërvitjen e parë në këtë grumbullim, Kosova do ta ketë të premten prej orës 18:00. Kosova është në grup me Danimarkën e Norvegjinë, ndërsa renditet e dyta me tri pikë të grumbullara, sa i ka edhe Norvegjia që është e para.

Numri i përfaqësueseve pjesëmarrëse në parakualifikime është dhjetë, ku një grup përbehet me katër kurse dy grupe tjera me nga tri. Katër skuadra, tri fituesit e grupeve, dhe e dyta më e mira do të kualifikohen për raundin e dyte parakualifikues, që mbahet në muajin gusht, nëntor të këtij viti, si dhe shkurt të vitit të ardhshëm.