Sport

Haalandi kthehet në shtëpi, te Manchester City

Erling Haaland është kthyer në shtëpi. Sulmuesi norvegjez finalizoi transferimin e tij në Manchester City nga Borussia Dortmundi për 60 milionë euro të hënën për të vulosur kthimin e tij në Angli, vendi i lindjes së tij. Babai i tij, Alf-Inge, luajti dhe për pak kohë ishte kapiten i Cityt në Premier League nga sezoni 2000/03 dhe Erlingu e mbështeti ekipin si fëmijë, duke shkuar shpesh në stadiumin “Maine Road” - ish-shtëpia e klubit - me nënën e tij për të parë të atin duke luajtur. Ai ka postuar në rrjetet sociale foto ku shihet i veshur me fanellën e Cityt kur ishte i ri. Haalandi tha se lidhjet e tij familjare ishin ndër arsyet kryesore që ai vendosi t’i bashkohet Cityt, pavarësisht interesimit nga shumë klube të tjera të mëdha të Evropës.

“Së pari, babai im, ndikoi pak në këtë lëvizje. Pastaj, kam lindur në Angli. Kam qenë tifoz i Cityt gjatë gjithë jetës sime. Unë di shumë për klubin”, tha Haalandi në prezantimin e tij. “Në fund, ishin dy gjëra. Ndihem si në shtëpinë time këtu dhe ndiej se mund të zhvillohem dhe të nxjerr më të mirën nga loja ime në City. Më pëlqen stili i lojës së Cityt. Më pëlqen futbolli sulmues. Më pëlqen atmosfera pozitive që kemi kur City luan futboll. Kjo është ajo që më pëlqen shumë, kështu që mendoj se është një përshtatje e mirë”.

Haaland, i konsideruar si një nga lojtarët e rinj më të mirë në botë së bashku me Kylian Mbappen, i është bashkuar Cityt në një marrëveshje pesëvjeçare – deri në vitin 2027. City aktivizoi klauzolën e lirimit në kontratën e Haalandit me Dortmundin për ta marrë një superyll me një çmim prej 60 milionë eurosh. Te City kanë pranuar se janë shumë të lumtur që sulmit të tyre prej sezonit të ri, do t’i prinë Haalandi.

“Ne e kemi monitoruar Erlingun për disa vite tani, kështu që jemi të kënaqur që e kemi sjellë në Manchester City. Ai është një talent i madh dhe ka qenë një nga sulmuesit më të mirë në Evropë gjatë sezoneve të fundit. Rekordi i tij i golave ​​është i jashtëzakonshëm dhe paraqitjet e tij në Borussia Dortmund dhe në Ligën e Kampionëve në veçanti kanë dëshmuar se ai mund të ketë sukses në nivelin më të lartë. Erlingu ka gjithçka që duam në një sulmues dhe ne jemi të sigurt se ai do të shkëlqejë në këtë skuadër dhe në këtë sistem”, ka thënë drejtori i Cityt, Txiki Begiristain.

Ish-sulmuesi i Anglisë, Gary Lineker, e quajti transferimin e Haalandit te City një “moment të rëndësishëm për Premier Leaguen”.

“Hera e parë që një superyll i ri, i kërkuar nga të gjithë, ka ardhur në një klub anglez mbi gjigantët spanjollë”, shkroi Lineker në Twitter.

Haalandi ka shënuar 20 gola në 21 paraqitje për Norvegjinë dhe ka shënuar 86 gola në 89 ndeshje në dy sezone e gjysmë me fanellën e Dortmundit. Para Dortmundit, ai ishte te Molde në Norvegji dhe më pas te Salzburgu në Austri, ku fillimisht tërhoqi vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane falë paraqitjeve të tij në Ligën e Kampionëve. Është pikërisht kjo garë që ka rezultuar e pakapshme për Cityn, pavarësisht shpenzimeve të mëdha për transferimin e lojtarëve nën pronësinë e miliarderëve në Abu Dhabi që nga viti 2008. Ardhja e Haalandit duhet t’i përmirësojë shanset e Cityt për t'u bërë kampion evropian - zile e telefonit të tij celular është himni i Championsit - dhe për të mbrojtur titullin e kampionit në Premier League për sezonin e ri. Skuadra e Pep Guardiolas nuk luajti me një sulmues të jashtëzakonshëm sezonin e kaluar, por megjithatë mbrojti me sukses titullin e ligës dhe arriti në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

“Ka kaq shumë lojtarë të klasit botëror në këtë skuadër dhe Pep është një nga menaxherët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, kështu që unë besoj se jam në vendin e duhur për t’i përmbushur ambiciet e mia”, tha Haalandi. “Dua të shënoj gola, të fitoj trofe dhe të përmirësohem si futbollist dhe kam besim se mund ta bëj këtë te City. Kjo është një lëvizje e mrekullueshme për mua dhe mezi pres të filloj me përgatitjet”.

Edhe Guardiola është shprehur i kënaqur me transferimin e Haalandit në “Etihad Stadium”. Trajneri spanjoll pranoi se pret gjëra të mëdha nga sulmuesi norvegjez.

“Ne kemi Erling Haalandin, padyshim numrin nëntë më të mirë në botë. Ne kemi investuar për vitet e ardhshme dhe ai është sulmuesi i së ardhmes për ekipin tonë. Ai është një sulmues shumë, shumë unik, tepër i talentuar që mendoj se e gjithë bota e ka parë. Unë do të thosha se çdo ekip në botë donte që Haalandi t’i bashkohej. Jam tepër i kënaqur që ai zgjodhi t’i bashkohet Cityt”, ka shtuar Guardiola. /AP