Përfaqësuesja e Kosovës do të jetë në mungesë të shumë futbollistëve për duelin vendimtar kundër Greqisë në Ligën e Kombeve. Mirëpo, pavarësisht këtyre mungesave, fitorja ndaj Irlandës së Veriut i ka trimëruar “Dardanët” e udhëhequr nga trajneri Alain Giresse. Giresse dhe Milot Rashica, të shtunën në konferencën për shtyp, janë shprehur tejet optimistë se përkundër suspendimeve e lëndimeve me të cilat është përballur Kosova në tri ndeshjet e para në Ligën e Kombeve, besojnë se do të arrijnë rezultat pozitiv në Greqi. Ndeshja mes Greqisë dhe Kosovës, e katërta e edicionit të tretë të Ligës së Kombeve, luhet në orën 20:45 të dielën. Për Kosovën është e rëndësishme fitorja, pasi do të barazohej në krye të tabelës me Greqinë, me nga nëntë pikë në Grupin 2 të Ligës C. Edhe barazimi do ta mbante në lojë Kosovën, por do t’ia zbehte gjasat për ta fituar grupin ku bën pjesë. Humbja do t’ia largonte edhe një shans tjetër për ta kërkuar më pas kualifikimin në Evropianin 2024. Greqia ka nëntë pikë, tri më shumë se Kosova.
“Është një ndeshje e vështirë dhe Greqia është një kundërshtar i fortë. Nuk mund të them se kjo ndeshje është një finale, por patjetër që është një ndeshje e madhe. Dhe një fitore eventuale në këtë takim sigurisht që do të rriste ambiciet tona ta fitojmë grupin”, ka thënë Giresse. “Pas fitores ndaj Irlandës së Veriut kemi ardhur këtu për të zhvilluar një ndeshje të rëndësishme ndaj ekipit që është i pari në grup, Greqia, dhe do të shohim se çfarë do të sjellë kjo ndeshje”.
Përzgjedhësi 69-vjeçar i Kosovës, francezi Giresse, ka thënë se kundër Greqisë ka shumë mungesa, por beson në cilësinë e atyre lojtarëve që janë të gatshëm për lojë.
Betim Fazliji, Lirim Kastrati dhe Ibrahim Dresheviq do të mungojnë pas kartonëve të verdhë që i morën në ndeshjen ndaj Irlandës së Veriut dhe janë të suspenduar.
Edon Zhegrova e Benjamin Kololli mungojnë shkaku i lëndimit, së bashku me Mërgim Vojvodën, i cili u largua në fillim të grumbullimit. Ndërkohë, Vedat Muriqi ndaj Irlandës së Veriut tha se ka luajtur i lënduar. Megjithatë, do të kthehet portieri Arijanet Muriq e mbrojtësi Fidan Aliti që munguan në duelin e fundit.
“Kemi mungesa të mëdha dhe shumë të rëndësishme për ne. Ata nuk janë me ekipin dhe nuk mund t’i përdorim. E rëndësishme është që ta komponojmë një ekip me këta futbollistë që i kemi dhe të arrijmë të marrim rezultat pozitiv. Dua të them që të gjitha ekipet kanë pas 23 apo 24 futbollist sikurse ne. Nga ky kontingjent kemi përdorur 17 futbollistë dhe gjatë këtij grumbulli ne kemi pasur probleme, jo vetëm me lëndimet, por edhe me suspendimet dhe nuk ka qenë e lehtë të zëvendësohen futbollistët që kanë munguar”, ka shtuar Giresse.
Në konferencën për shtyp të shtunën te Kosova përkrah francezit ishte edhe Milot Rashica. Rashica ishte prej më të mirëve në fushë, në fitoren që Kosova e shënoi në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Irlandës së Veriut të enjten mbrëma (3:2). Rashica e fitoi penalltinë në golin e parë të Muriqit, ndërsa asistoi në golin e dytë që e shënoi Zymer Bytyqi. Ai ka thënë se do të mundohet të vazhdojë me paraqitje të tilla edhe në ndeshjet e radhës për Kosovën, duke nisur që nga dueli me Greqinë.
“Duke e parë rëndësinë e ndeshjes, shpresoj që kontributi im të ndikoj te golat. Besoj se ndeshja ime ndaj Irlandës së Veriut ishte më e mira në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Kemi shumë mungesa, por të gjithë lojtarët janë gati dhe do të japim maksimumin. Besoj që ka ardhur koha të bëjmë fitoren e parë ndaj Greqisë. Nëse dëshirojmë ta fitojmë ndeshjen, atëherë duhet të shënojmë gola. Shpresoj se do të krijojmë shumë raste dhe të shënojmë sa më shumë gola”, shtoi futbollisti i Norwich Cityt.
Rashica ka thënë se në Greqi, Kosova ka udhëtuar për fitore.
“Siç e dimë është ndeshja e fundit e këtij grumbullimi dhe kjo ndeshje mund të përcaktojë gjithçka. Jemi të përgatitur për ta dhënë maksimumin për ta fituar këtë ndeshje. Presim me qenë ndeshje shumë e vështirë dhe është një kundërshtar tjetër prej ndeshjes së kaluar. Por besoj që me motivimin dhe gjërat e mira që kemi bërë ndeshjen e kaluar t’i shfrytëzojmë. Kemi luajtur ndaj Greqisë dhe e dimë se si luajnë dhe shpresoj që të dielën të bëjmë shumë më mirë se në ndeshjen e fundit”, tha ai.