Sport

Më të mirët e Akademisë së Ajaxit: Nga Bergkampi, te De Ligti

Sistemi i të rinjve të Ajaxit konsiderohet si një prej më të mirëve në të gjithë botën e futbollit.

Kjo skuadër ka dhuruar lojtarë të klasit botëror, tash e një kohë të gjatë.

Akademia e njohur u formua më 18 mars të vitit 1900 – të njëjtën ditë kur edhe u themelua klubi në Amsterdam të Holandës.

Johan Cruyff

Padyshim, njëri nga figurat më me ndikim në historinë e futbollit, Johan Cruyff, debutoi në futbollin profesionist për Ajaxin në vitin 1964.

Futbollisti i talentuar i krahut luajti për klubin holandez për 11 vjet në total, në dy periudha (1964-1973 dhe 1981-1983). Fitoi tetë tituj Eredivisie dhe tri Kupa Evropiane.

Lojtari ikonë i krahut është golashënuesi më i mirë i klubit, me 194 gola të realizuar në 287 ndeshje.

Cruyff po ashtu luajti për Barcelonën, Feyenoordin, Los Angeles Aztecsin, Washington Diplomatsin dhe Levanten.

Puna e tij si trajner në “Camp Nou” pati ndikim të madh te e ardhmja e shumë trajnerëve, përfshirë edhe Pep Guardiolën.

Ruud Krol

Mbrojtësi i krahut, i cili ka mundur të luajë edhe si mesfushor defensiv, debutoi në futbollin profesionist për Ajaxin në vitin 1968 dhe i kaloi 12 sezone te ky klub.

Gjatë kohës së tij në Amsterdam, Krol fitoi gjashtë tituj Eredivisie, tri Kupa Evropiane, katër Kupa të Holandës dhe dy Superkupa të UEFA-s.

Krol karrierë ka bërë edhe te Vancouver Whitecaps, Napoli dhe Cannes, para se të pensionohej në vitin 1986.

Piet Keizer

Njeriu i klubit, Piet Keizer, e nisi karrierën profesioniste me Ajaxin në vitin 1961 pasi vinte nga Akademia e klubit dhe luajti në Amsterdam deri në pensionim, në vitin 1974.

Për 13 vjet në karrierën e tij si profesionist, futbollisti i krahut fitoi 19 trofe, përfshirë gjashtë tituj Eredivisie, pesë Kupa të Holandës dhe tri Kupa Evropiane.

Marco van Basten

Marco van Basten doli nga Akademia e Ajaxit në vitin 1981, pasi iu bashkua skuadrës në moshën 16-vjeçare dhe luajti për gjashtë sezone, para se t’i bashkohej Milanit, ku u bë legjendë.

Karriera e njërit nga qendërsulmuesit më të kompletuar që ka parë bota e futbollit, Van Bastenit, është penguar nga lëndimet. Ndeshjen e fundit e luajti vetëm si 28-vjeçar.

Megjithatë, deri në atë periudhë, ai e kishte fituar Kampionatin Evropian me Holandën, si dhe tri tituj Eredivisie, katër tituj të “Serie A” dhe tri Kupa Evropiane në nivel klubesh.

Tri herë fituesi i “Topit të Artë” mbetet golashënuesi i tretë më i mirë i Ajaxit, me 152 gola në 172 ndeshje.

Frank Rijkaard

Një nga heronjtë e Holandës në vitin Evropianin 1988, Frank Rijkaard, debutoi në futbollin profesionist për Ajaxin në vitin 1980.

Pasi u largua në vitin 1987, ai e kaloi një sezon si i huazuar te Real Zaragoza, para se t’i bashkohej Milanit. Te Milani e kompletoi treshen holandeze me Ruud Gullitin dhe Van Bastenin.

Mbrojtësi që luante në shumë pozita, e që u konvertua në mesfushor nga trajneri Arrigo Sacchi, fitoi disa tituj në Holandë dhe Itali, para se ta ngrinte lart trofeun e Kupës Evropiane tri herë: dy herë me Milanin dhe një tjetër herë me Ajaxin, pasi iu ribashkua skuadrës në fund të karrierës.

Dennis Bergkamp

Sulmuesi doli në ekipin senior për herë të parë në vitin 1986 dhe i kaloi shtatë vjet në Amsterdam, ku fitoi një titull Eredivisie dhe Kupën e Kupave Evropiane, para se të transferohej tek Interi, bashkë me Wim Jonkun.

Bergkamp pati vështirësi në “San Siro” dhe u lejua të transferohej tek Arsenali në vitin 1995.

Te skuadra nga Londra veriore u kthye në një prej numrit 10 më të mirë të gjeneratës së tij, duke shënuar 120 gola me “revolveristët”. E krijoi edhe partneritetin e sulmit të përkryer, së pari me Ian Wrightin, e më pas edhe me Thierry Henryn.

Frank de Boer

Ish-reprezentuesi i Holandës e nisi karrierën profesionale tek Ajaxi në vitin 1988 dhe luajti për këtë klub për 11 sezone.

Pasi u largua nga gjiganti holandez, De Boer luajti edhe për skuadrat si Barcelona, Galatasaray, Rangers, Al-Rayyan dhe Al-Shamal.

Edhe pse e fitoi La Ligan një herë në “Camp Nou”, ai shkëlqeu më së shumti tek Ajaxi, me qendërmbrojtësin i cili fitoi pesë tituj Eredivisie dhe një Ligë të Kampionëve.

Edwin van der Sar

Padyshim, portieri më i mirë i gjitha kohërave në Holandë, Van der Sar, luajti për Ajaxin, Juventusin, Fulhamin dhe Manchester Unitedin, në karrierën e tij profesioniste që zgjati 21 vjet.

Ai po ashtu ndihmoi Ajaxin ta fitonte Ligën e Kampionëve në vitin 1995. E fitoi edhe Eredivisien në Holandë dhe Premier Leaguen katër herë.

Van der Sar ishte futbollisti me më së shumti paraqitje te Holanda. Luajti 130 herë për përfaqësuesen holandeze deri në vitin 2017, ndërsa ky rekord u thye nga Wesley Sneijder.

Clarence Seedorf

Futbollisti i vetëm që e fitoi Ligën e Kampionëve me tri klube të ndryshme, Seedorf, ishte vetëm 16-vjeçar e 242 ditë kur debutoi me Ajaxin – duke u bërë debutuesi më i ri i historisë së klubit.

Mesfushori me klas dhe shumë i fuqishëm i kaloi tre vjet te skuadra seniore, ndërsa kulmin me Ajaxin e shënoi në vitin 1995 kur e fitoi Ligën e Kampionëve.

Ai do ta fitonte të njëjtën garë edhe me Real Madridin dhe Milanin dy herë, ndërsa Holandën e ka përfaqësuar në 87 ndeshje.

Edgar Davids

Mesfushori defensiv e agresiv debutoi me Ajaxin në vitin 1991 dhe i kaloi pesë vjet në klub.

Ai më vonë luajti edhe për Milanin, Juventusin, Interin dhe Tottenhamin, para se të kthehej në Amsterdam në vitin 2007.

Davids u pensionua në vitin 2014, pas një periudhe të kaluar edhe te Crystal Palace dhe Barneti.

Ai ka fituar disa trofe në Holandë dhe Itali, përfshirë tri “Scudetto” në Serie A, tre tituj Eredivisie dhe Ligën e Kampionëve me Ajaxin në vitin 1995.

Patrick Kluivert

Pasi për një kohë të gjatë konsiderohej si ylli i ardhshëm në Amsterdam, sulmuesi shtatlartë holandez e konfirmoi një gjë të tillë kur shënoi në fitoren e Ajaxit në Ligën e Kampionëve kundër Milanit në vitin 1995, në moshën 18-vjeçare.

Ai përfundoi te “rossonerët” në vitin 1997, pasi fitoi dy tituj Eredivisie dhe shënoi 52 gola në 100 paraqitje në të gjitha garat për Ajaxin.

Kluivert qëndroi vetëm një sezon në “San Siro”, por pati më shumë suksese te Barcelona për gjashtë vjet, ku e ndihmoi ekipin ta fitonte La Ligën dy herë.

Sulmuesi ka shkëlqyer edhe në nivel përfaqësuesesh pasi e fitoi “Këpucën e Artë” në “Euro 2000” dhe e mbylli karrierën me Holandën me 40 gola të shënuar – që ishte rekord në kohën kur u pensionua.

Wesley Sneijder

Talenti i jashtëzakonshëm në moshë të hershme, Sneijder, i kaloi pesë sezone tek Ajaxi para se të binte në sytë e një prej skuadrave më të mira në Evropë.

Dy vjet te Real Madridi nuk shkuan sipas planit, por tek Interi, mesfushori i talentuar me tipare sulmuese, e riktheu potencialin e plotë dhe u kthye në superyll.

Sneijder ishte një prej më të mirëve tek Interi i edicionit 2009-10 kur e fitoi tripletën, ndërsa e ndihmoi Holandën të shkonte deri në finale të Kupës së Botës në Afrikën e Jugut.

Forma e tij nuk zgjati për shumë kohë, por Sneijder mbetet futbollisti me më së shumti paraqitje te Holanda dhe legjendë tek Ajaxi.

Rafael van der Vaart

Thuajse i ngjashëm me Sneijderin, Van der Vaart, e fitoi reputacionin si një prej mesfushorëve ofensivë më të mirë botën e futbollit gjatë kohës në Amsterdam. Në fakt, ai ishte fitues i çmimit të parë si “Djaloshi i Artë”, në vitin 2003.

Van der Vaart i kaloi pesë sezone të plota tek Ajaxi, duke fituar dy tituj të Eredivisies, përfshirë edhe Kupën e Holandës në vitin 2002, para se t’i bashkohej Hamburgut.

Paraqitjet e tij në Gjermani bënë që ai të transferohej te Real Madridi, por, njësoj si Sneijderi, atij nuk i zgjati shumë koha e kaluar në kryeqytetin spanjoll dhe përfundoi sërish te Hamburgu. Karrierë bëri edhe te Betisi dhe Tottenhami.

Nigel de Jong

Shumica e tifozëve të futbollit do ta kujtojnë atë për ndërhyrjen e ashpër në Xabi Alonson gjatë finales së Kupës së Botës në vitin 2010. De Jong ishte shumë agresiv, por i talentuar në qendër të mesfushës. Për tetë vjet ishte pjesë e Ajaxit.

Ai ishte një prej lojtarëve kyç në formacionin e skuadrës në edicionin 2003-04, kur u fitua titulli.

Në sezonin tjetër, u shpall lojtari më i mirë i skuadrës.

Christian Eriksen

Një prej organizatorëve më të mirë të lojës në gjeneratën e tij nisi të luante futboll në shtetin e vet, Danimarkën, para se të kalonte në Holandë kur u transferua nga Ajaxi në moshën 16-vjeçare.

Pas disa vjetësh, Erikseni doli në skuadrën e parë dhe luajti për pesë edicione për Ajaxin, duke fituar tre tituj rresht në Holandë, ndërmjet viteve 2011-2013.

Erikseni, natyrisht, u bë një prej yjeve të Premier Leagues te Tottenhami, para se ta fitonte “Scudetton” me Interin.

Ai u desh të largohej nga “San Siro” për shkak të arrestit kardiak që e pati në “Euro 2020”, por u kthye plotësisht.

Tani po shkëlqen në Angli edhe një herë tjetër, pasi iu bashkua Brentfordit në janar të vitit 2022.

Matthijs de Ligt

De Ligti iu bashkua Ajaxit kur ishte nëntëvjeçar dhe u inkuadrua në moshën 17-vjeçare në ekipin senior. U kthye në një prej lojtarëve më premtues.

Qendërmbrojtësi u bë mbrojtësi i parë që e fitoi çmimin si “Djaloshi i Artë” në dhjetor të vitit 2018, para se të emërohej si kapiteni më i ri në histori të Ajaxit, disa muaj më vonë.

De Ligti ishte një prej lojtarëve më të mirë tek Ajaxi kur kaloi deri në gjysmëfinale të edicionit 2018-19 në Ligën e Kampionëve, para se t’i bashkohej Juventusit.

Ai është kthyer në një prej lojtarëve më të vlefshëm ditëve të sotme.