Sport

Muriqi ia dedikon golin Vokrrit

Vedat Muriqi realizoi dy gola kundër Irlandës së Veriut në fitore, ndërsa golat dhe fitoren ia dedikoi të ndjerit, Fadil Vokrri, ish-kryetarit të FFK-së.

Golin e parë, Muriqi e shënoi në minutën e nëntë, numrin të cilin e mbante Vokrri.

“Sinqerisht nuk e kisha mendjen në atë moment, por ndihem shumë mirë dhe krenar pasi ishte përvjetori i të ndjerit Fadil Vokrri. Mirë është të shënosh gol dhe ajo më takoi mua. Golat dhe fitorja shkojnë për të ndjerin Fadil Vokrri”, tha fillimisht Muriqi shtatlartë.

Muriqi ishte në dyshim për të luajtur në ndeshjen e së enjtes mbrëma, por ai tha se bëri çmos që të jetë i gatshëm për lojë.

“Nuk është ditur deri në ditën e ndeshjes se a do të luajë. Kisha marrë një goditje. Sinqerisht nuk është dashur të luajë. Rrezikova shumë. Por, nuk munda ta lë veten jashtë. Ndihem mirë edhe për golat, edhe për fitoren. Falënderoj stafin mjekësor. Edhe atyre u dedikohet ky sukses”, vazhdoi Muriqi.

Muriqi është golashënuesi më i mirë i Kosovës me 20-të gola. Ai është shprehur shumë i lumtur për këtë sukses.

“Kam thënë gjithmonë se ndihem shumë krenar ta përfaqësoj shtetin tim. Është kënaqësi e veçantë. Kam luajtur në klube të mëdha dhe kam shënuar gola të rëndësishëm. Ato që i shënoj me fanellën e Kosovës janë katër apo pesë fish më të mira. E ndjej kur shënoj. Jam krenar që jam golashënuesi më i mirë. Nuk i kam marrë asnjëherë parasysh sukseset personale. Kam hyrë në fushë gjithmonë për të dhënë më të mirën. Edhe mentalisht, edhe psiqikisht, edhe fizikisht, ndihemi të lodhur, pasi vijmë pas një sezoni të mundimshëm. Tani shkojmë në Greqi dhe na pret një lojë e rëndësishme. Shpresojmë ta befasojmë Greqinë”, ka përfunduar Muriqi.

Muriqi është në dyshim për të luajtur kundër Greqisë të dielën për shkak të lëndimit që e ka, por ai ka shtuar se në këto ditët para ndeshjes, nuk do të stërvitet fare. Ka theksuar se do të mundohet vetëm të rigjenerohet e të rikuperohet.