Futbollistët e Përfaqësueses së Qipros kanë mbyllur përgatitjet për duelin ndaj Kosovës që e luajnë në kuadër të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve. Qipro është stërvitur të mërkurën në stadiumin “AEK Arena”, ku do të zhvillohet ndeshja, ndërsa përzgjedhësi Nikos Kostenoglou pret rezultat pozitiv. Dueli mes Qipros dhe Kosovës zhvillohet të enjten prej orës 18:00 dhe i takon Grupit 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve. Në konferencën për shtyp, përzgjedhësi Kostenoglou ka pranuar forcën e Kosovës, por ka insistuar se ekipi i tij do të futet në ndeshje për të marrë një rezultat të mirë.
Ai ka insistuar se është shumë e rëndësishme për Qipron që edicionin e ri të Ligës së Kombeve në mënyrën më të mirë të mundshme, me fitore. Po ashtu, u ka bërë edhe thirrje tifozëve qipriotë që ta mbushin stadiumin për ta përkrahur ekipin e tyre.
“Fillon një edicion i ri i Ligës së Kombeve që është një sfidë e re për ekipin tonë. Ne vijmë nga dy paraqitje të mira me Estoninë, në të cilat morëm atë që kërkuan, e që ishte të qëndronim në këtë divizion. “Tani na duhet të përballemi me kundërshtarë të vështirë dhe me përvojë, kundër të cilit synojmë t'i paraqesim një pamje edhe më të mirë, duke pretenduar rezultatin”, u shpreh Kostenoglou.
“Dua t’i përgëzoj futbollistët për përpjekjet maksimale që i kanë bërë gjatë këtyre ditëve në stërvitje nëpër kushte jo aq të lehta. Shpresoj që ky imazh që ata prezantojnë çdo ditë, të sjellë rezultatin e dëshiruar drejt Kosovës. Në çdo garë synimi ynë është të fitojmë dhe kjo është çfarë do të përpiqemi të arrijmë. Ashtu si me Estoninë, në përpjekjen që do të bëjmë, duam të kemi mbështetjen e tifozëve qipriotë”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve, përzgjedhësi i Qipros, Kostenoglou, theksoi se Kosova ka një ekip shumë cilësor me lojtarë që luajnë në nivel shumë të lartë. Ai pranoi se Kosova llogaritet favorite, por ka besim të madh te lojtarët e tij.
“Duhet pranuar se Kosova ka një skuadër shumë cilësore, të përbërë nga futbollistë që luajnë në nivele të lartë. Mirëpo, edhe ekipi ynë ka vlerë dhe cilësi. Kështu që, me përpjekje ekipore do të kërkojmë fitoren”, insistoi Kostenoglou.
Edhe mbrojtësi i Qipros, Alex Gogiq, shprehu optimizmin e tij para përballjes me Përfaqësuesen e Kosovës. Ai shtoi se pavarësisht që ka parasysh cilësinë e Kosovës, beson në fitoren e Qipros dhe përkrahjen e madhe të tifozëve në tribuna.
“Ne vijmë nga paraqitjet e mira dhe rezultatet pozitive që i patëm me Estoninë për ta konfirmuar qëndrimin në Ligën C dhe me rezultate të tilla duam të vazhdojmë edhe në edicionin e ri të kësaj gare”, është shprehur Gogiq. “Kryesisht në ndeshjet që i luajmë në shtëpi, synimi ynë është që t’i fitojmë të gjitha duke filluar nga e para që e kemi me Kosovën. Kundërshtari ynë është i vështirë dhe cilësor, por kemi edhe një ekip të mirë dhe pres që njerëzit të vijnë dhe të mbështesin ekipin tonë në tentimin për një rezultat të mirë”.
Sikurse Kosova, edhe Qipro këtë muaj do t’i luajë katër ndeshje në kuadër të Ligës së Kombeve. Pas duelit me “Dardanët”, Qipro e pret në shtëpi edhe Irlandën e Veriut më 5 qershor, përpara se të luajë në udhëtim te Greqia (9 qershor) dhe Irlanda e Veriut (12 qershor).
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.