Futbollistët e Kosovës e kanë zhvilluar stërvitjen e fundit në vend para ndeshjes së parë të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve, kundër Qipros. Selektori i Kosovës, francezi Alain Giresse, vendosi për stërvitje më të lehtë të martën në mëngjes, ndërsa të mërkurën përfaqësuesja do të niset drejt Larnacas, ku e zhvillon ndeshjen kundër Qipros.
Ndeshja Qipro - Kosova luhet të enjten nga ora 18:00. Është ndeshja hapëse e grupit të dytë të Ligës C, pjesë e së cilit janë edhe Greqia dhe Irlanda e Veriut.
Dy futbollistët e Kosovës, Blendi Idrizi dhe Lirim Kastrati, janë shprehur optimistë para ndeshjes kundër Qipros. Të dy kanë thënë se synojnë ta hapin me fitore kampanjën në Ligën e Kombeve.
“Presim gjithqysh fitore kundër Qipros. Kemi stërvitur shumë mirë deri tash. Dje ishte stërvitja mjaft e mirë dhe intensive, derisa sot më shumë ishte rigjenerim. Presim që në Qipro të bëjmë një lojë shumë të mirë. Është loja e parë dhe duhet të fitojmë sepse është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë tonë në ndeshjet e tjera”, ka thënë mesfushori Idrizi.
Idrizi ka theksuar se forma e mirë e shumicës së lojtarëve në klubet e tyre do të ketë ndikim pozitiv.
“Forma e mirë e lojtarëve në klubet e tyre është shumë e rëndësishme sepse atë kualitet ata e sjellin edhe te Kosova”, është shprehur lojtari i Schalkes. Ai pret që ndaj Greqisë dhe Irlandës së Veriut ta kenë mbështetjen maksimale nga “Dardanët”.
Të rëndësishme ndeshjen ndaj Qipros e cilëson edhe mbrojtësi i krahut, Lirim Kastrati.
“Pres rezultat pozitiv. Të gjithë jemi në formë të mirë, derisa kur je pjesë e ekipit kombëtar është një ndjenjë ndryshe. Besoj se do të japim maksimumin për t’i treguar vlerat e shtetit tonë”, ka thënë Kastrati.
Kastrati thotë se Kosova synon vendin e parë në grup.
“Me punën serioze që jemi duke e bërë, besoj se do të arrijmë sukses, ngase kemi kualitet dhe potencial”, ka shtuar ai.
Edhe Kastrati ka bërë thirrje që të kenë përkrahje të madhe në ndeshjet që Kosova do t’i luajë si vendase në Prishtinë.
Kosova e pret Greqinë të dielën, ndërsa më 9 qershor e pret edhe Irlandën e Veriut.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.