Sport

KFF Mitrovica kërkon nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mbrojtje të rregullores për licencim

Klubi i futbollit të femrave, Mitrovica, i është drejtuar Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës të enjten, me kërkesën për mbrojtje të rregullores për licencim të klubeve për garat ndërkombëtare.

Në ankesën e siguruar nga KOHA, KFF Mitrovica raporton shkeljet që sipas tyre janë bërë nga Komisioni i Shkallës së Dytë kur vendosi të licencoi KFF EP Com për gara të UEFA-s. Thuhet se asnjë kriter esencial nuk e ka plotësuar KFF EP Com.

“Për korrektësi dhe respektim të akteve normative, konkretisht rregullores për licencimin e klubeve për garat evropiane, kërkojmë nga KE i FFK-së që drejtë dhe ligjërisht të mbroj dhe respektoj vendimin e Komisionit të Shkallës së Parë pasi që i njëjti përmban të gjitha elementet e kritereve bazë në licencimin e klubeve për garat e UEFA-s, kurse vendimin e Shkallës së Dytë ta ndaloj si të pabazuar pasi që ka shkelje të shumta esenciale të akteve në fuqi. Nëse KE i FFK-së lejon që të shkelet Rregulloja për licencimin e klubeve për garat evropiane, kriteret dhe afatet për licencim, atëherë cila është arsyeja që në të ardhmen të respektohen ato. Të gjitha klubet do të presin rezultatet dhe nëse bëhen kampion – licencohemi pa i plotësuar afatet dhe kriteret e paraparë për licencim. Shpresojmë në korrektësi të organit ekzekutiv”, thuhet në fund të kërkesës së KFF Mitrovica.