Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka thënë se organizimi i finales së Ligës së Konferencës në Tiranë të mërkurën ka qenë i suksesshëm. Ai në konferencë ne mbajtur të enjten ka thënë se ishte një reklamë e jashtëzakonshme për Shqipërinë.
Roma doli fituese e edicionit të parë të Ligës së Konferencës. Mposhti në finale Feyenoordit 1:0 para rreth 20 mijë shikuesve në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
“Është një moment kënaqësie dhe krenarie për të gjithë ne që dalim para jush në mbyllje dhe me sukses të plotë të një aktiviteti që e bëri Tiranën kryeqytetin sportiv të Evropës për një ditë. Finalja e djeshme, është transmetuar zyrtarisht në 155 vende të botës dhe drejt ‘Air Albania’ janë drejtuar sytë mbi 400 milionë shikuesve nga e gjithë bota. Askush nuk e mendonte një dekadë më parë që Shqipëria do të arrinte në këto nivele organizimi. Por ja ku jemi, pas pjesëmarrjes së kombëtares shqiptare në ‘Euro 2016’, vijmë në një tjetër stacion të rëndësishëm të historisë së futbollit shqiptar”, ka thënë ndër të tjera presidenti Duka.
Për ta organizuar finalen e Ligës së Konferencës, Duka tha se kishin aplikuar në vitin 2017. Ai po ashtu ka theksuar se kanë mirëpritur mbi 60 delegacione, përfshirë presidentët e 25 federatave të futbollit ndërkombëtar, gjithë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të UEFA si dhe rreth 100 figura te spikatura të botës së futbollit, sponsor, partner, si dhe 510 gazetarë të mediave botërore e mbi 90 fotografë.