Bayer Leverkuseni ka arritur marrëveshje me Spartën e Pragës për transferimin e sulmuesit Adam Hlozek, ka raportuar gazetari Fabrizio Romano të mërkurën. Bëhet e ditur se Leverkuseni është pajtuar t’i paguajë ekipit çek 13 milionë euro plus bonuset për Hlozekun.
19-vjeçari që vlerësohet si njëri prej lojtarëve më të talentuar në Çeki me ekipin gjerman do të firmosë kontratë afatgjatë. Hlozek në këtë sezon ka pasur paraqitje fantastike te Sparta, ku ka shënuar 12 gola dhe ka asistuar 15 herë në 47 ndeshje në të gjitha garat.
Ai është produkt i Spartës, kurse me ekipin e parë ka debutuar në fillim të vitit 2019. Gjithashtu ka edhe 14 paraqitje dhe një gol të shënuar me Çekinë.