Sport

Sadiku pritet nga ministri Çeku, suksesi i saj në Botëror vlerësohet lart

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku e ka pritur të hënën boksieren Donjeta Sadiku. Sadiku e kategorisë 60 kilogramë ditë më parë fitoi medaljen e bronztë në Botërorin e boksit që u mbajt në Stamboll të Turqisë.

Ministri Çeku ka thënë se medalja e fituar nga Donjeta është historike për shtetin e Kosovës. Medalja e bronztë e fituar nga Sadiku ishte edhe e para që prej pavarësimit të sportit të Kosovës. Sadikut iu nda edhe shpërblimi në vlerë 14 mijë euro, kurse 7 mijë të tjera i kanë takuar trajneres e saj, Marjola Sallauka, bazuar në rregulloren për shpërblime të sportistëve, të cilët arrijnë rezultate kulminante në garat ndërkombëtare.

“Është një moment historik për Kosovën dhe sportin, por veçanërisht për boksin. Vajzat e Kosovës po vazhdojnë të na bëjnë të mburremi me sukseset e tyre dhe ta ngritin flamurin tonë në ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare”, ka thënë ndër të tjera ministri Çeku, njofton Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) të hënën.

Ndërkohë, boksierja Sadiku ka theksuar se synimi i saj është triumfi në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Pritje të mëdha nga Sadiku ka edhe kryetari KOK-ut, Ismet Krasniqi, ndërsa kryetari i FBOXK-së, Enver Krasniqi, po ashtu vlerësoi lart suksesin e Sadikut, duke thënë se tradita e boksit po kthehet dhe se presin edhe medalje tjera.