FIFA të premten ka konfirmuar se ka nisur hetimet rreth falsifikimit të dokumenteve të një lojtari, gjë që mund t’i kushtojë Përfaqësueses së Ekuadorit me përjashtim nga Kampionati Botëror “Katari 2022”, që nis në muajin nëntor.
Federata e Futbollit e Kilit ka dërguar ankesë në Komisionin Disiplinor të FIFA-s, duke aluduar se Byron David Castillo Segura ka luajtur për Ekuadorin me dokumente të falsifikuara.
Duke pasur parasysh faktin se futbollisti në fjalë ka luajtur në tetë ndeshje kualifikuese për Botërorin “Katari 2022”.
Ekuadori mund të përjashtohet nga ky turne nëse vërtetohet falsifikimi i dokumenteve të tij. Ekuadori është kualifikuar në Botëror dhe është në Grupin A, së bashku me Katarin, Holandën e Senegalin.
E në rast të përjashtimit të Ekuadorit nga Kampionati Botëror, atëherë FIFA mund ta ftojë një përfaqësuese tjetër për ta zëvendësuar në këtë ngjarje, përfshirë këtu Italinë.
Italia dështoi në plejof ta sigurojë pjesëmarrjen për herën e dytë rresht në ngjarjen më të madhe të futbollit.