Sport

Batatina i kënaqur me gjithë humbjen

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, është shprehur i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij në ndeshjen ndaj Drenicës. Drenica fitoi 1:0 në Skenderaj.

Batatina ka thënë se ua ka dhënë rastin disa lojtarëve të rinj. Ai ka theksuar se do të ishte e papranueshme që deri në fund të edicionit mos t’ua jepte rastin lojtarëve të rinj.

“Tërë javën kemi punuar që t’u japim hapësirë këtyre djemve dhe të marrim një pikë për të siguruar Evropën. Kam rrezikuar duke ua dhënë rastin, pasi na duhet një pikë. Nga një gabim, nga një ndërprerje, erdhi goli. Por ky është futbolli. Do të bëjmë maksimumin në ndeshjen e Gjilanit. Do të mundohemi të arkëtojmë pikët e plota”, ka theksuar Batatina.

Llapi fokusin e ka te finalja e Kupës.

“Për ne e rëndësishme është Kupa e Kosovës, finalja e madhe. Jemi munduar t’u japim hapësirë djemve. Performuan mirë, ndonëse nuk fituam. Djemtë e kanë bërë maksimumin. Tani mendojmë për ndeshjen e ardhshme”, ka shtuar Batatina, ndër të tjera.