Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, do të marrë një pjesë të madhe të meritave nëse Mallorca siguron mbijetesën në elitën e futbollit të Spanjës. Në 12 ndeshjet e fundit, Mallorca ka pësuar tetë humbje dhe ka regjistruar katër fitore. Në secilën prej fitoreve, Muriqi ka shënuar gol ose ka asistuar. Ai ka shënuar tre nga katër golat e tij me këmbë. Dy prej tyre kanë qenë nga penalltia.
Me kokë shënoi vetëm kundër Real Betisit dhe bashkë me Salva Sevillan, janë golashënuesit më të mirë të skuadrës. Për këtë arsye, pra, nuk mund të përjashtohet mundësia që Mallorca ta blejë në verë kartonin e tij nga Lazio. Skuadra nga Roma po kërkon 12 milionë euro për Muriqin, shumë kjo që aktualisht nuk është e gatshme ta paguaj Mallorca.
Por në Spanjë raportohet se Mallorca është duke parë mundësinë e nënshkrimit afatgjatë të kontratës me Muriqin, ndërsa transferimin e tij ta paguajë me këste. Edhe trajneri i Mallorcas, Javier Aguirre, ka shprehur dëshirën e tij që Muriqi të mbetet edhe më gjatë nën urdhrat e tij. Ai ka thënë se Muriqi është sulmuesi kryesor në skuadrën e tij. Po ashtu, Aguirre ka pranuar se pret ndihmën e Muriqit deri në ndeshjen e fundit të sezonit. Në garën për mbijetesë, Mallorcas i kanë mbetur edhe pesë xhiro deri në fund të kampionatit spanjoll. Mallorca është në rrugë të mbarë për të mbetur pjesë e La Ligas edhe për sezonin e ardhshëm, pasi aktualisht zë vendin e 16-të me 32 pikë të grumbulluara.
“Kemi pesë sulmues të ndryshëm, por Muriqi është ai që ka luajtur më së shumti sepse ka më siguri para portës dhe është shumë i motivuar. Nuk mund të flas për të ardhmen e tij. Duhet të presim që gjithçka të përfundojë dhe të shohim se çfarë do të bëjmë. Ulemi, planifikojmë dhe shikojmë nëse ia vlen dhe çfarë do të ndodh me kreditë e kthimit, por edhe nevojat tona. Na kanë mbetur edhe pesë finale dhe nuk mund të flasim për të ardhmen. Duhet të ulemi në fund të kampionatit dhe të shohim se si do të shkojnë gjërat. Ky do të jetë procesi”, ka thënë Aguirre për “ultimahora.es” të martën.
Mallorca kurrë nuk ka shpenzuar 12 milionë euro për një lojtar. Blerja më e shtrenjtë e klubit spanjoll është 7.2 milionë euro. E pati blerë legjendën e Kamerunit dhe disa skuadrave të mëdha në Evropë, Samuel Eto’on nga Real Madridi në vitin 2000. Me paraqitjet e tij, Muriqi ka fituar dashurinë e tifozëve të Mallorcas. Ai është mbështetur shumë nga shikuesit, ndërsa vlerësime ka marrë edhe nga njohës të futbollit në Spanjë. Muriqi nga tifozët e ka marrë nofkën “Pirati”. Së fundmi, në Turqi është raportuar se Fenerbahçe ka kthyer interesimin për blerjen e kartonit të Muriqit. Në garë sërish është futur edhe Galatasaray. Dëshira e Muriqit është të mbetet pjesë e Mallorcas.
“Faktikisht dëshira ime është të mbesë edhe më gjatë te Mallorca. Më pëlqen shumë ambienti, ekipi, qyteti dhe të gjithë. Por, ja që nuk është në dorën time kjo punë. Duhet të bisedohet zyrtarisht në mes të palëve, nuk po mundem të shprehem për të ardhmen, pasi as vetë nuk e di se ku do të përfundoj”, ka thënë ditë më parë Muriqi për KOHËN.
Muriqi me Lazion ka kontratë deri në qershor të vitit 2025. Te Lazio u transferua në shtator të vitit 2020 nga Fenerbahçe për rreth 20 milionë euro.