Pasi nuk ka fituar trofe këtë edicion, Peja po e synon triumfin në Ligën Unike për të paralajmëruar se do të luftojë edhe për titullin e kampionit të Kosovës në basketboll.
Në fakt Peja është edhe organizatore e “Final 4” të Ligës Unike, që për dy ditë do të mbahet në palestrën “Karagaçi”. Të mërkurën do të luhen dy ndeshjet gjysmëfinale, ndërsa të enjten është finalja dhe ndeshja për vendin e tretë.
Në gjysmëfinalen e dytë Peja do të takohet me Prizrenin-16, ndeshje kjo që nis në orën 20:30. Ndërsa prej orës 17:00 do të luhet gjysmëfinalja e parë ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Teutës së Durrësit. Kapiteni i Pejës, Dardan Berisha, thotë se synimi i skuadrës së verdhë është triumfi në Ligën Unike.
Ai pranon se Peja ka përparësi për shkak se luan në shtëpi, por vlerëson se nuk është aspak e lehtë. Golden Eagle Ylli pati triumfuar edicionin e shkuar në këtë ligë duke e mposhtur Pejën në finale. Peja ka bërë shumë ndryshime këtë edicion në fondin e lojtarëve, por edhe te trajnerët. Edicionin e nisi me turkun Shemsetin Bash për ta vazhduar me Marin Dokuzovskin.
është kualifikuar direkt në gjysmëfinale të “Final 4” të Ligës Unike pasi stinorin e rregullt e ka përfunduar në pozitën e dytë. Ndërsa Prizreni-16 është kualifikuar nëpërmjet çerekfinales, duke e eliminuar skuadrën e Rahovecit.
“Besoj që fillimisht do të jetë një organizim i mirë dhe palestra të jetë e mbushur me tifozë, sidomos të ekipit tonë, pasi kemi nevojë për përkrahje. Natyrisht që synimi i Pejës është ta fitojë Ligën Unike për të siguruar trofeun e parë për këtë edicion. Megjithatë nuk do të jetë aspak lehtë, sepse të gjitha ekipet janë të forta”, është shprehur Berisha. “Jemi përgatitur mirë dhe mendoj se jemi komponuar si ekip, pavarësisht ndryshimeve dhe lëndimeve të shumta që i kemi pasur gjatë këtij edicioni”.
Edhe te Prizreni-16 pranojnë se do të ketë ndeshje të forta në “Final 4” të Ligës Unike. Prizrenasit do të përpiqen që të shkojnë sa më larg. Trajneri Arbnor Rifati ka pranuar se Peja nuk është favorite vetëm në gjysmëfinale ndaj ekipit të tij, por edhe për ta fituar Ligën Unike.
“Ne si ekip objektiv e kemi pasur që të futemi në ‘Final Four’ të Ligës Unike, gjë që edhe e kemi arritur. Jemi përgatitur maksimalisht, por duhet pranuar se Peja ka përparësinë e terrenit si organizatore e garës. Kështu që vlerësoj se Peja mbetet edhe favoritja kryesore për ta fituar titullin e këtij edicioni në Ligën Unike”, është shprehur Rifati.
Sikurse Peja edhe Golden Eagle Ylli po synon suksesin në Ligën Unike, të cilën e fitoi në edicionin e parë. Ylli, që ishte kampion i stinorit të rregullt, në gjysmëfinale do të luajë kundër skuadrës së Teutës, e cila në çerekfinale e eliminoi Tiranën. Ylli këtë edicion ka vetëm një humbje në Ligën Unike dhe konsiderohet favorit përballë Teutës.
“Ne do të japim gjithçka nga vetja për ta mbrojtur titullin e Ligës Unike. Jemi tërësisht të fokusuar dhe besoj se mund ta arrijmë këtë synim”, është shprehur basketbollisti i Yllit, Erjon Kastrati.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.