Sport

100 ndeshje në Bundesligë për lojtarin që synon Kosova

Descriptive Text

Nuk ka shumë bujë rreth mesfushorit kosovar Elvis Rexhbeçaj. Ai po e zhvillon karrierën në njërin prej kampionateve më të forta në Evropë, por nuk deklarohet shumë për mediat dhe nuk është shumë prezent në to.

Të shtunën Rexhbeçaj arriti shifër jubilare, ndërsa edhe për këtë është raportuar pak. 24-vjeçari e luajti ndeshjen e 100-të në Bundesligë. Luajti prej fillimit të pjesës së dytë për Bochumin, që u mposht 3:0 nga Freiburgu, në kuadër të xhiros së 30-të të kampionatit gjerman.

Rexhbeçaj është lojtar i rëndësishëm i Bochumit. Ka luajtur në 29 prej 30 ndeshjeve të këtij edicioni. Mungoi vetëm në një ndeshje në të cilën ishte i suspenduar për shkak të kartonëve. Ndërkohë ka startuar në 27 ndeshje, derisa si zëvendësues u aktivizua në dy ndeshje.

Nuk ka gola e asistime, por ka kryer detyrën në mesfushë. Është i njohur si lojtar i detyrës.

Rexhbeçaj është lojtar i Wolfsburgut. Te Bochumi po luan huazim. Është i huazuar deri në qershor të këtij viti. Ndërkohë me Wolfsburgun ka kontratë deri më 30 qershor të vitit të ardhshëm.

Lojtari me prejardhje nga Prizreni, si huazim ka luajtur edhe te Koelni.

Shifrën e 100 ndeshjeve, Rexhbeçaj e ka arritur në pesë edicione të ndryshme. Në edicionin 2017/18 i luajti katër ndeshje për Wolfsburgun. Për të njëjtën skuadër në edicionin 2018/19 i luajti 24 ndeshje, ndërsa i kishte dy gola e dy asistime. Për Koelnin në edicionin 2019/2020 luajti 13 ndeshje, ndërsa kontribuoi me katër asistime. Edicionin e kaluar i luajti plot 30 ndeshje për Koelnin në kampionatin gjerman, derisa shënoi pesë gola dhe bëri dy asistime. Këtë edicion me shumë mundësi e kalon shifrën e 30 ndeshjeve.

Rexhbeçaj është zhvilluar te Wolfsburgu, ndërsa deri më tani ka qenë i fokusuar plotësisht në nivel klubesh. Nuk ka luajtur për ndonjë përfaqësuese. Ai mund ta zgjedhë Kosovën, ndërsa në FFK disa herë kanë konfirmuar se janë të interesuar për këtë lojtar cilësor.

Bochumi është në pozitën e 12-të me 36 pikë. Është jashtë rrezikut për rënie nga liga, por edhe larg zonës që dërgon në Evropë.

Bochumi e ka uruar Rexhbeçajn për ndeshjen e 100-të në Bundesligën gjermane.