Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar të martën për mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor për të mërkurën, nga ora 11:00 në selinë e FFK-së.
Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të FFK-së, thuhet se për shkak të hapësirës, numri i pjesëmarrësve do të jetë i kufizuar dhe se për këtë “është e pamundur të krijojmë hapësirë për media në përcjelljen e kuvendit”.
Transmetimin e Kuvendit, sipas FFK-së, do ta bëjnë “Art Motion”, Klan Kosova dhe rrjetet sociale të FFK-së.
“Art Motion” ka të drejtën e transmetimit të ndeshjeve në futbollin e Kosovës.
Kjo është hera e parë që ndodh kjo mënyrë e tramsmetimit. Deri më tash, Kuvendet zgjedhore janë mbajtur me prani fizike të të gjithë gazetarëve të interesuar dhe në hapësira më të mëdha.
Kandidat i vetëm për kryetar të FFK-së do të jetë ai aktual, Agim Ademi, i cili shpalosi programin e tij për 4 vjetët e ardhshëm në një sallë të madhe me shumë gazetarë e të ftuar të tjerë.
“Pas përfundimit të Kuvendit, presidenti Ademi, njëherësh kandidati i vetëm në zgjedhjet e 6 prillit, do të jetë i qasshëm për prononcim dhe për t’u përgjigjur pyetjeve tuaja”, shkruan tutje në njoftimin e FFK-së.
Në të vërtetë, Kuvendi i FFK-së ka ngjallur shumë reagime, pasi FFK-ja nuk ka lejuar kandidimin e Gramoz Vokrrit për kryetar, me arsyetimin se nuk janë plotësuar kushtet.
Disa prej kuvendarëve dhe ish zyrtarëve të Federatës, Kuvendin që do të mbahet të mërkurën, e kanë quajtur të jashtëligjshëm. Madje kanë ftuar organet shtetërore të mos e lejojnë mbajtjen e tij.