Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

I dyshuari ia premtoi agjentit të Policisë që paraqitej si blerës 10 kilogramë heroinë

heroine

Në rastin, ku u konfiskuan dy kilogramë heroinë në Suharekë, Prokuroria Themelore në Prizren pretendon se sasia që u tentua të shitej ishte shumë më e madhe. Agjenti policor që u paraqit si blerës, u pajtua për blerjen e 10 kilogramëve heroinë. Tre të pandehur janë arrestuar të martën, e sot është bërë kërkesë për paraburgimin e tyre prej 30 ditësh

Skema e simulimit të një polici që u paraqit si blerës droge, i vuri në pranga tre të dyshuar me dy kilogramë heroinë. 

Për veprën penale “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve” të dyshuarve A.R., R.B. dhe B. Sh.B. Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga 30 ditë paraburgim. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Arrestimi i tyre u bë si pjesë e hetimit nën masa të fshehta të Prokurorisë në Prizren, në të cilin agjenti i policisë që u shtir sikur blerës ka shprehur interesim për 10 kilogramë drogë të rëndë.

Në bazë të kërkesës së Prokurorisë për paraburgim, i pandehuri A.R. u pajtua që t’ia sigurojë këtë sasi droge. 

“Më datë 07.02.2026 në hotelin ‘Nora’ në Klinë...i pandehuri A. R. ofron për shitje 7 kg që ka në dispozicion, ndërsa pas disa ditësh mund të sigurojë deri në 10 kg, të cilët arritën pajtimin e çmimit të shitblerjes në shumë prej 19.000 € (nëntëmbëdhjetëmijë euro), duke lënë që shkëmbimi i substancës narkotike të bëhet më datë 12.02.2026 i cili shkëmbim nuk ndodh me këtë datë, ndërsa me datë 23.03.2026 rreth orës 16:00 në Suharekë, të pandehurit A. R. dhe R. B. me veturën e këtij të fundit të markës ‘Mercedes GLE’, ngjyrë e zezë, me targa ZH672262 arrijnë në restorantin e lartcekur të cilët takohen me agjentin e policisë të koduar me shifrën ‘N-101’ i cili në restorant arrin me furgonin me targa 01-570-BC, ngjyrë e bardhë dhe të cilët pas takimit të zhvilluar mes tyre rreth shkëmbimit të substancës narkotike arrijnë marrëveshjen për shitblerjen e substancës narkotike të llojit ‘heroinë’ në sasi prej 1 kg”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Sipas kërkesës për paraburgim, një muaj më vonë, në Suharekë A.R. dhe R.B. u pajtuan me agjentin e fshehtë për blerje edhe të një kilogrami tjetër heroinë. 

E në ditën kur parashihej dorëzimi, të martën, i pandehuri A.R. sipas shkresës së prokurorisë e fshehu drogën në veturë dhe iu shmang kalimit aty ku ka policë.

“...i pandehuri A. R. me qëllim të mos identifikimi të lokacionit ku gjendet substanca narkotike dakordohet që agjenti policor dhe i pandehuri R. B. të qëndrojnë në restorant dhe e merr furgonin me targa 01-570-BC, ngjyrë e bardhë të agjentit të policisë, duke shkuar në drejtim të fshatit Gjinoc, Komuna e Suharekës, ku ndalet për 10 min. në rr. ‘L. P’ dhe hyn brenda oborrit të shtëpisë së të pandehurit R. B. nr.67, i njëjti më pas largohet nga aty dhe përdor rrugë alternative me qëllim të shmangies eventuale të patrullave të policisë ku për një moment ndalet në një rrugë me zhavorr, del nga ana e djathtë e tij dhe substancën e dyshuar narkotike të cilën e kishte ndarë në dy paketime të mbështjella me qese najloni me peshë 1016 gramë dhe të cilin e kishte nën ulësen e përparme e merr dhe e fut në pjesën e improvizuar për fshehje (bunker) dhe më pas ndërhynë zyrtarët policorë dhe e arrestojnë të njëjtin”, thuhet tutje në kërkesë.

Në kërkesën e Prokurorisë së Prizrenit thuhet po ashtu se pas zbatimit të urdhërkontrollit në shtëpinë e R.B., u gjet heroinë me peshë 805 gramë, ndërsa në shtëpinë e të pandehurit B.Sh.B., marihuanë me peshë 14.8 gramë. 

Policia, gjatë vitit 2025 ka konfiskuar 1 ton e 316 kg marihuanë, 24.5 kg kokainë, 4.5 kg ekstazi dhe 1.5 kg heroinë. 

E vetëm në një aksion në fund të janarit të 2026-s janë kapur 3.2 kg heroinë.