Sport

Kërkohet që ndeshjet të mos zhvillohen në objektet që nuk i plotësojnë kriteret

Këshilli kombëtar për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive u ka bërë thirrje federatave dhe klubeve sportive të mos lejojnë që të zhvillohen ndeshjet në objekte të cilat nuk i plotësojnë kriteret. Shkak i mbledhjes së Këshillit Kombëtar është bërë sulmi i rëndë ndaj portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri, në derbin e së dielës kundër Gjilanit.

Ndeshja nuk përfundoi në mënyrë të rregullt për shkak të incidentit të rëndë. Fillimisht ishte ndërprerë e më pas u pezullua.

Stadiumi i qytetit në Gjilan është në proces të rinovimit dhe as për së afërmi nuk i plotëson kushtet për siguri. Shkaku i punimeve dy tribunat pas portave dhe tribuna e madhe nuk kanë rrethoja. Dhe hyrja në fushë është fare e lehtë. Kjo edhe ndodhi të dielën pasdite.

Nga klubet që e shfrytëzojnë këtë stadium është vlerësuar se ai nuk i plotëson kushtet për ndeshje. Por si Gjilani, ashtu edhe Drita kanë vazhduar t’i zhvillojnë ndeshjet me leje të Federatës së Futbollit të Kosovës, përkatësisht Komisionit për inspektimin e objekteve sportive. Komisioni përbëhet nga kryetari Isak Rakovica dhe tre anëtarët, Refki Osmani, Bedri Avdiu dhe Fetah Mehana. Gjasat që të luhen ndeshjet e mbetura të edicionit aktual në stadiumin e qytetit në Gjilan tashmë janë të vogla.

Në mbledhjen e mbajtur të hënën, Këshilli kombëtar ka vlerësuar lart Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit.

Për sulmin ndaj Frashërit janë arrestuar të dielën pesë persona, dy prej tyre që e sulmuan fizikisht.

“Përgëzojmë Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit për reagimin e tyre të shpejtë që ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e disa personave të dyshuar për këtë incident të rëndë, ku dy prej tyre janë për vepra penale, ndërsa të tjerët për kundërvajtje”, thuhet në njoftimin e Këshillit.

Këshilli iu bën thirrje të gjitha federatave, klubeve sportive, organizatorëve të ngjarjeve sportive, si dhe grupeve të tifozëve që të distancohen nga të gjitha format e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive.

“Këshilli kërkon nga të gjitha federatat dhe klubet sportive në Kosovë, dhe në veçanti nga të gjithë organizatorët e ngjarjeve sportive, që të zbatojnë me përpikëri rregulloret dhe kriteret teknike gjatë procesit të aprovimit të objekteve të caktuara sportive për zhvillimin e ngjarjeve sportive. Gjithashtu, Këshilli kërkon nga federatat, respektivisht komisionet përkatëse për aprovimin teknik të objekteve sportive, si edhe nga delegatët që caktohen nga organizatat sportive për drejtimin dhe mbikëqyrjen e zhvillimit të ngjarjeve sportive, që në rastet kur nuk ofrohen kushtet adekuate të sigurisë të mos lejojnë prezencën e tifozëve, apo sipas nevojës të mos lejojnë zhvillimin e ngjarjes sportive pa u plotësuar kushtet përkatëse”, thuhet në komunikatën e Këshillit, që ka dënuar dhunën e shfaqur edhe në ndeshjen e futbollit të Ligës së Tretë ndërmjet Bashkimit dhe Besës. Futbollistët e skuadrës së Bashkimit nga Krusha e Madhe kanë sulmuar fizikisht gjyqtarin e kësaj ndeshjeje. Këshilli ka bërë thirrje të shqiptohen dënimet adekuate për përgjegjësit e ngjarjeve të fundit.