Sport

Challandes: Miqësorja Kosovë – Zvicër, festë

Ish-përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, zvicerani Bernard Challandes, ka folur për miqësoren që “Dardanët” do ta luajnë kundër Zvicrës të martën (18:00) në Zuerich, ka shkruar “20min.ch”.

Challandes ishte në krye të Kosovës prej vitit 2018 deri në fund të vitit 2021 dhe në këtë post u zëvendësua javë më parë nga francezi Alain Giresse.

"Për kosovarët që jetojnë në Zvicër do të jetë një festival i vërtetë futbolli. Larg politikës apo problemeve të tjera", thotë Challandes, i cili thekson se populli në Kosovë gjithmonë i ka konsideruar triumfet e ekipit të Zvicrës në të kaluarën si “fitore të tyre”. “Kur përfaqësuesja është shumë e suksesshme, sheh edhe flamuj zviceran të varur në Prishtinë”.

Ai ka thënë se ndeshjen do ta shikojë nga tribunat dhe se përgjatë 90 minutave, atij do t’i rrahin “dy zemra në gjoks”.

Trajneri zviceran është i bindur se Kosova në një të ardhme të afërt do të kualifikohet në një turne të madh futbolli.

“Ka shumë djem të talentuar nëpër klube dhe në rrugët e Kosovës, mbetet vetëm të vazhdojnë të punojnë shumë dhe të kenë durim”, shtoi Challandes.