Sport

Harkimet e Paqaradës po e dërgojnë St. Paulin drejt Bundesligës

Nëse Leart Paqarada bëri krosim në ndeshjet e fundit, ai shpesh ishte gjysmëgoli për skuadrën e St. Paulit. Mbrojtësi i krahut të majtë përgatiti katër gola në gjashtë ndeshjet e fundit. Nëse vazhdon me këtë ritëm, atëherë harkimet e Paqaradës do të jenë vendimtare për kthimin e St. Paulit në Bundesligë.

Shikuar gjatë gjithë edicionit, Paqarada i ka harkimet më të rrezikshme në Bundesliga 2, ku lider është St. Pauli me 51 pikë, sa i ka edhe Werder Bremeni në pozitën e dytë, pas 27 xhirove të luajtura. Nëntë nga 98 harkimet e tij janë shndërruar në gol dhe kjo statistikë e bën Paqaradën asistuesin më të mirë në ligë. Në fakt ai tashmë ka marrë nofkën “Këmba e Artë”. Asistimet nuk janë cilësia e vetme e Paqaradës këtë edicion. Ai vlerësohet një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit. Paqarada po kontribuon edhe në mbrojtje duke e mbyllur krahun e majtë dhe kjo ka rënë dukshëm në sy gjatë ndeshjeve të fundit.

Në fakt te St. Pauli janë frikësuar për detyrën e re të Paqaradës, por 27-vjeçari po del të jetë i palodhshëm duke operuar në krahun e tij, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Vrapimi i vazhdueshëm duket se po rëndon këmbët e Paqaradës i cili pas ndeshjes po e kërkon menjëherë tretmanin me akull. Këtë e konfirmon edhe trajneri i St. Paulit, Timo Schultz.

“Pas ndeshjes me Ingolstadtin, të cilën e fituam 3:1 dhe Paqarada ndihmoi me asistim, ai u ul në autobus me këmbët e mbuluara plotësisht me pako akulli”, tregoi Schultz.

Për të mos e ngarkuar edhe më shumë Paqaradën, pasi ai po konsiderohet si lojtar shumë i rëndësishëm, trajneri Schultz gjithmonë e nxjerr “këmbën e tij të artë” nga stërvitjet normale të ekipit. Paqarada aktualisht po stërvitet vetëm individualisht duke punuar në sallën e peshave dhe vrapon i vetëm në lëndinë.

Paqarada është shpërblyer për angazhimin e tij këtë edicion: roli i ri si kapiten, pasi e ka mbajtur shiritin katër herë, po e bën të ndihet i veçantë te St. Pauli.

“Mund të them se është diçka e veçantë të udhëheqësh një ekip në shtëpi siç është St. Pauli që ka një histori të madhe”, pranoi Paqarada.

Ai nuk është lider vetëm në fushë, por edhe në zhveshtore. Paqarada tashmë po e udhëheq ekipin si lojtari kryesor, kurse vazhdimisht bisedon dhe motivon bashkëlojtarët.

“Unë në thelb jam person shumë i komunikueshëm. Ndiej nevojën të flas me njërin apo tjetrin që mund të jetë pak prapa. Unë dua që t’i mbajë të gjithë bashkë dhe të motivuar drejt synimit të klubit. Kjo është një gjë që më pëlqen ta bëj dhe do të vazhdoj deri në fund”, pranoi Paqarada.

Forca dhe qetësia e tij mendore mund të jenë shumë të rëndësishme për St. Paulin, përveç cilësive që po i shfaq në fushë sidomos tani në fazën finalen e sezonit të nxehtë. Dhe kosovari vetë mund të përmbushë ëndrrën e madhe të Bundesligës. Krahas dhjetë asistimeve në 31 paraqitje në të gjitha garat deri më tani, Paqarada ka shënuar edhe tri gola – dy në Kampionat dhe një në Kupë.