Trajneri i njohur, meksikani Javier Aguirre është emëruar në krye të skuadrës së Mallorcas, ka njoftuar të enjten klubi nga La Liga.
Aguirre ka marrëveshje me Mallorcan deri në fund të këtij edicioni dhe nëse arrin synimin, që është ta mbajë klubin në elitën e futbollit spanjoll edhe për sezonin e ardhshëm, atëherë do ta vazhdojë bashkëpunimin.
Aguirre në postin e trajnerit te Mallorca, ka zëvendësuar Luis Garcia Plazan për shkak të rezultateve të dobëta.
Maguirre 63-vjeçar së fundi ka qenë në krye të klubit nga Meksika, Monterrey, por u largua muajin e shkuar. Ai ka përvojë të madhe në Spanjë, pasi më herët ka drejtuar skuadrat si Osasuna, Atletico Madrid, Zaragoza, Espanyol e Leganes.
Në total, ai ka më shumë se 450 ndeshje zyrtare në Spanjë si trajner, ndërsa ka qenë edhe përzgjedhës i Meksikës në dy raste, pastaj ka drejtuar edhe Japoninë e Egjiptin.
Mallorca është në një seri negative në La Liga, pasi ka pësuar humbje në gjashtë ndeshjet e fundit dhe zë vendin e 18-të në tabelë me 26 pikë pas 29 ndeshjeve.
Pjesë e Mallorcas është edhe sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi që u huazua në janar tek ekipi spanjoll nga Lazio.