Dobësia jokarakteristike e Bayern Muenchenit ka lejuar që të kthehen disa emocione në garën për titullin e kampionit në Bundesligë, me tetë ndeshje deri në fund të sezonit.
Klubi bavarez mbetet favorit për atë që do të ishte titulli i dhjetë rresht, një rekord në futbollin gjerman. Mirëpo lëshimi i pikëve në tri nga pesë ndeshjet e fundit kampionale nga Bayerni i ka dhënë mundësinë Borussia Dortmundit që të afrohet në vetëm katër pikë në tabelë. Bayerni është lider me 60 pikë, i ndjekur nga Dortmundi me 56 sosh pas 26 xhirove të luajtura. Dy rivalët takohen për derbin që njihet si “der Klassiker” në Muenchen në fund të muajit të ardhshëm. Bayerni ka mbrojtjen më të mirë në ligë me vetëm 28 gola të pësuar në 26 ndeshje. Por është një statistikë mashtruese dhe rëndësia e portierit të Gjermanisë, Manuel Neuer, i cili sapo është kthyer nga një operacion në gjurin e tij, nuk mund të mbivlerësohet. Bayern humbi në Bochum 4:2, barazoi 1:1 në Salzburg në Ligën e Kampionëve, përpara se të barazonte edhe me Bayer Leverkusenin (1:1), kur Neuer ishte jashtë fushës. Portieri Neuer ishte më i ngarkuar nga sa do të ishte zakonisht pasi Bayerni barazoi 1:1 në Hoffenheim në rikthimin e tij nga lëndimi në Bundesligë, të shtunën e kaluar. Hoffenheimi në këtë takim pati tetë raste të mira shënimi. Në anën tjetër Bayerni nuk ishte në gjendje t’i shfrytëzonte mundësitë e shumta që pati. Goli i 29-të i Robert Lewandowskit në ligë ishte i vetmi shans që e shfrytëzuan mysafirët.
“Kur e krahasoj ndeshjen ndaj Hoffenheimit me paraqitjet e javëve të fundit, është një hap në drejtimin e duhur, ndonëse e morën vetëm një pikë”, pranoi Julian Nagelsmann, i cili nuk arriti t’i fitojë dy ndeshje rresht në kampionat për herë të parë si trajner i Bayernit.
Mbrojtja e Bayernit do të jetë pa Niklas Suelen për ndeshjet e ardhshme, pasi klubi njoftoi të enjten se ai ka lënduar muskulin e kofshës në stërvitjen e fundit. Dortmundi ka humbur pikë vetëm një herë në pesë ndeshjet e fundit kampionale, ndonëse në të gjitha këto duele nuk është dukur bindës. Dormundi u angazhua shumë për të mposhtur Mainzin 1:0 të mërkurën mbrëma dhe Arminia Bielefeld me të njëjtin rezultat gjatë fundjavës së shkuar.
“Të gjithë po flasin për infeksionet e koronavirusit në Bielefeld dhe Mainz. Kemi pasur një ndeshje në mesjavë në një situatë shumë të vështirë. Na mungojnë tetë lojtarë shumë të rëndësishëm”, tha trajneri i Dortmundit, Marco Rose. “Mendoj se është e jashtëzakonshme që mbajtëm portën e pastër për ndeshjen e dytë radhazi. Djemtë dhanë gjithçka dhe kjo është shumë mirë”.
Sulmuesi amerikan Gio Reyna bëri përshtypje në dy paraqitjet si zëvendësues që nga kthimi prej lëndimit, duke asistuar për golin e Axel Witselit që siguroi fitoren në Mainz. Sulmuesi i Norvegjisë, Erling Haaland, është rikthyer gjithashtu dhe prania e tij fizike do ta ndihmojë Dortmundin në ndeshjet e ardhshme kundër Koelnit, Leipzigut, Stuttgartit dhe Wolfsburgut. Nëse 21-vjeçari Haaland qëndron në formë, ai mund të bëjë dallimin vendimtar në ndeshjen kundër Bayernit. Tri ndeshjet e fundit të Dortmundit janë kundër Bochumit, pastaj ndaj ekipeve që po luftojnë për mbijetesë, Greuther Fuerthit dhe Hertha Berlinit. Bayerni do të luajë me Union Berlinin, Freiburgun, Augsburgun dhe Bielefeldin përpara se ta presë Dortmundin. Tri ndeshjet e fundit të kampionit në fuqi të Gjermanisë janë me Mainzin, Stuttgartin e Wolfsburgun.