Ish-tenisti i Ukrainës, Sergiy Stakhovsky i është kundërpërgjigjur trajnerit Antonio Contes, pasi italiani ditë më parë tha se suspendimi i sportistëve të Rusisë për shkak të luftës është i padrejtë.
Me këtë deklaratë që e dha javën e shkuar, Conte ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha, dhe Stakhovsky ishte i pari që i reagoi italianit që është në krye të skuadrës së Tottenhamit.
Stakhovsky tashmë i është bashkuar ushtrisë ukrainase në mbrojtje prej sulmeve të Rusisë dhe reagimin ndaj Contes e ka bërë në Instagram.
“Nuk jam i sigurt që ti e ke kuptuar situatën në Ukrainë. Në të kundërtën, nuk mund të imagjinoj se ti ke bërë një koment të tillë, në të cilin ndihesh i mërzitur për sportistët dhe biznesmenët e Rusisë. Miliona ukrainas janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të pushtimit të Rusisë. Të lutem, zgjohu. Rusët duhet të mbajnë një faj kolektiv për shkatërrimin dhe vrasjet që po i kryejnë në Ukrainë”, ka shkruar Stakhovsky.