Ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës, Taulant Hodaj, ka thënë se zgjedhjet për kryetar të FFK-së do të mbahen më 6 prill. Ai në një intervistë me shkrim për KOHËN, të dielën, ka insistuar se Statuti i FFK-së nuk është shkelur. Kuvendi i thirrur për 6 prill, siç thotë Hodaj, është konform Statutit të FFK-së dhe Rregullores së Punës.
Aktualisht vetëm Arianit Ahmeti publikisht ka dalë si kundërkandidat i kryetarit aktual, Agim Ademi. Por Hodaj thotë se Ahmeti nuk i plotëson tri kushtet kryesore për të qenë kandidat për kryetar të FFK-së.
Ahmeti, ish-zëvendëssekretar i përgjithshëm i FFK-së, ka thënë se FFK-ja ka shkelur Statutin duke e caktuar Kuvendin Zgjedhor për 6 prill.
KOHA: A është shkelur Statuti i FFK-së, ashtu siç pretendohet?
Taulant Hodaj: Jo, absolutisht nuk është shkelur Statuti. Komiteti Ekzekutiv në pajtueshmëri të plotë me Statutin, Neni 28, më datë 2.3.2022 ka marrë vendim për organizim të Kuvendit për datën 6.4.2022. Për Kuvendin janë njoftuar të gjithë delegatët, UEFA, FIFA dhe organet e tjera përkatëse.
KOHA: A mund të na i interpretoni dy nenet. Pra, nenin në të cilin është thirrur KE i FFK-së dhe Nenin 39.3 që e përmend opozita?
Hodaj: Neni përkatës për thirrjen e Kuvendit të rregullt është Neni 28. FFK-ja nuk është subjekt politik dhe nuk ka opozitë dhe pozitë. FFK-ja është organizatë që përbëhet nga organet kryesore, nga Kuvendi, Komiteti Ekzekutiv dhe presidenti. Rregullat i bën Kuvendi dhe i implementojnë Komiteti dhe presidenti. Pra, është organizatë që bazohet në Statut të saj, në UEFA, FIFA dhe në ligjet e aplikueshme. Kushdo që është anëtar i Kuvendit dhe ka ndonjë paqartësi mund t’iu drejtohet organeve kompetente. Por jo persona që nuk janë anëtarë të Kuvendit, sepse nuk mund të thirren në interpretim persona që nuk janë pjesë e Kuvendi të FFK-së.
KOHA: Në një prononcim të mëhershëm, kryetari Ademi ka thënë se mandati i tij është deri në korrik dhe se zgjedhjet do të mbahen në korrik. Pse nuk është pritur përfundimi i mandatit, pra zgjedhjet të mbahen më 6 korrik?
Hodaj: Konform Statutit, Neni 29, Kuvendin e cakton Komiteti Ekzekutiv e jo presidenti. Nuk i di prononcimet e mëparshme, por Kuvendi i ardhshëm është thirrur nga organi kompetent dhe është caktuar në afatin e paraparë me Statut dhe me vendim të Komitetit Ekzekutiv. Presidenti i ardhshëm duhet të zgjidhjet brenda afatit 4-vjeçar, më së largu deri më 2 korrik, përndryshe nëse kalon data 2 korrik, atëherë presidenti nuk do të kishte mandat. Askund nuk pritet përfundimi i mandatit për zgjedhjen e të riut. Në çdo organizatë aktive zgjedhjet bëhen para se t’i përfundojë mandati organit përkatës, në të kundërtën mbetemi pa organ efektiv brenda institucionit.
KOHA: KF Vitia e ka paditur FFK-në në Gjykatën Themelore në Prishtinë. A besoni se do te jetë në anën e FFK-së vendimi i Gjykatës. Pra, a do të mbahen zgjedhjet më 6 prill?
Hodaj: Patjetër që do të mbahen. Siç e ceka më lart, secili që është anëtar i Kuvendit ka të drejtë t’u drejtohet organeve kompetente, të bëjë ankesë, dhe nëse mendon padi. Por nuk mundemi për teke të personave të caktuar të mos mbahet Kuvendi. Çdo gjë është në përputhje me Statutin dhe me vendimin e Komitetit. Në çfarëdo forumi juridik, duke përfshirë edhe gjykatat nëse duhet, jemi të përgatitur për të argumentuar dispozitat statutore dhe aktet e tjera të aplikueshme. Pra, Kuvendi do të mbahet.
KOHA: Si e gjykoni Udhëzimin Administrativ të MKRS-së për licencimin e federatave ku në një pikë thuhet se asnjë anëtar nuk do të mund të jetë në udhëheqje nëse ka vepër penale?
Hodaj: Çdo ligj, rregullore dhe udhëzim administrativ që rregullon fushën e sportit dhe përmirëson rregullat aktuale, ne e mbështesim. Pasi të njoftohemi me detajet e draft-udhëzimit, nëse konsiderojmë të nevojshme do t’i japim komentet tona.
KOHA: A ka ndonjë aplikim për kryetar të FFK-së?
Hodaj: Ka aplikime. Por saktë se kush e tek, Komisioni brenda FFK-së do të dalë me njoftim në afatin e caktuar dhe i shpjegon komplet aplikimet, kushtet dhe mënyrat se si kanë aplikuar dhe kush.
KOHA: Arianit Ahmeti publikisht ka shpallur kandidaturën për kryetar?
Hodaj: Personi që pyetni ju, vetëm në studio televizive ka shprehur dëshirën, por nuk është kandidat deri tani. Në bazë të evidencave që i kemi ai nuk i plotëson tri kushtet kryesore: Është i përjashtuar nga organizata e futbollit, nuk i ka 15 nënshkrime, dhe as nuk është anëtar i asnjë organizate të futbollit. Sidoqoftë, ai dhe çdo kandidat tjetër duhet konform Statutit të aplikojë apo të kishte aplikuar në bazë të kushteve që janë në Statut dhe siç është sqaruar më lart. Pastaj Komisioni verifikues konstaton nëse një kandidat i ka plotësuar kushtet për t’u konsideruar kandidat.