Kosova ka disa lojtarë të rinj në skuadrën me 14 basketbollistë të trajnerit Brad Greenberg. Kështu nis rrëfimin për përgatitjet e Kosovës për parakualifikimet për Botërorin 2019 uebfaqja zyrtare e FIBA-s.
Lis Shoshi, që ka pasur paraqitje për Universitetin e Arkansasit në dy sezonet e fundit, Erjon Kastrati e Gëzim Morina, ish-lojtarë të Sllovenisë, janë në mesin e 14 basketbollistëve që po ushtrojnë nën urdhrat e Greenbergut.
Në ekip janë përfshirë edhe Urim Zenelaj e Ergin Grosha nga liga vendore. Si basketbollist shumë të rëndësishëm për Kosovën në parakualifikime, FIBA e konsideron Dardan Berishën, transmeton Koha.net. Berisha kishte pasur mesatare prej 14.7 pikës për ndeshje për Kosovën në verën e shkuar në kualifikimet për EuroBasketin 2017.
FIBA shkruan se Justin Doellman, lojtari i natyralizuar vitin e shkuar, nuk është në dispozicion këtë verë për shkak të lëndimit, ndërsa Kosova është në kërkim të një basketbollisti tjetër.
Në fazën parakualifikuese, Kosova do të përballet me Maqedoninë dhe Estoninë në kuadër të Grupit C. Kosova duhet të sigurojë vend në dy më të mirat për të hyrë në kualifikimet për Botëror.
“Ka shumë për t’u bërë në një kohë të shkurtër dhe po kërkohen ushtrimet. Ky është rast i mrekullueshëm dhe unik për lojtarët, trajnerët dhe federatat dhe kërkon punë grupore dhe vendosmëri për të rritur kapacitetet tona”, ka thënë Greenberg.
Më 15 korrik, Kosova do të ketë një ndeshje miqësore me Austrinë, më pas më 18 korrik me Sllovakinë dhe më pas përballet me Shqipërinë.
Në parakualifikime, Kosova pret Maqedoninë më 2 gusht dhe luan me Estoninë një javë më pas. Greenberg me lojtarët e tij më pas do të udhëtojnë në Maqedoni për ndeshjen e 12 gushtit dhe në fund mbyllin fazën parakualifikuese në shtëpi kur e presin Estoninë më 19 gusht.