Sport

Presidenti shkarkon menaxherin dhe bëhet vetë trajner në Portugali

Në një histori të çuditshme nga Portugalia, presidenti i skuadrës së nivelit të katërt, Vitoria Sernache, e ka shkarkuar menaxherin e klubit - dhe ka vendosur veten në krye.

Sipas një raporti nga gazeta portugeze A Bola, Antonio Joaquim vendosi të heqë dorë nga shërbimet e menaxherit Manuel Monteiro.

Edhe pse skuadra nuk është në pozitën më të mirë në tabelë – ata aktualisht janë në vendin e tetë nga 10 në Grupin D në divizionin e katërt – Sernache nuk ka humbur në shtatë ndeshjet e tyre të fundit. Për më tepër, pesë nga ato ndeshje janë ndarë me barazim.

Presidenti më pas shkoi në radio lokale për të shpallur veten si menaxher i ri i ekipit. Kur u pyet përse, ai ka thënë për Radio Condesteval se ishte njeriu që e njihte më së miri skuadrën e tij.

Nuk është e vetmja histori shqetësuese që del nga klubi këtë sezon. Në shtator, ish-mesfushori portugez Ricardo Nascimento dha dorëheqjen nga posti i tij si trajner, duke pretenduar se ai nuk mund të toleronte "racizmin dhe ksenofobinë" e presidentit. Ai vazhdoi gjithashtu duke kritikuar mungesën e kushteve të punës në klub.

Me gjashtë ndeshje të mbetura në sezonin portugez, tifozët e klubit do të shpresojnë që ndryshimi i çuditshëm i menaxherit të ketë një efekt për të mos rënë nga kategoria.