Sport

Fokusi te Viniciusi e Dybala në kualifikimet e Amerikës së Jugut

 

Me vendet e siguruara në Botërorin “Katari 2022”, Brazili dhe Argjentina duket se do të testojnë në kualifikimet e CONMEBOL-it, lojtarë të cilët janë të dashur nga tifozët, ndërsa përpiqen të dëshmojnë veten në përfaqësuese. Vinicius Junior nuk ka shënuar në nëntë paraqitjet e tij të para për Brazilin dhe Paulo Dybala ka dy gola në 31 ndeshje për Argjentinën. Vinicius pritet të zëvendësojë Neymarin te Brazili kundër Ekuadorit dhe Dybala ka të ngjarë të dalë në fushë në vend të Lionel Messit kundër Kilit. Katër përfaqësuese të Amerikës së Jugut kualifikohen për turneun e kësaj vjeshte në Katar dhe vendi i pestë luan në plejof ndaj një kundërshtari aziatik, duke lënë dy vende për kualifikim ende në garë. Vetëm Venezuela e vendit të fundit, me shtatë pikë, është jashtë konkurrencës.

Brazili kryeson grupin me 35 pikë, i ndjekur nga Argjentina (29), Ekuadori (23), Kolumbia, Peruja (17), Kili, Uruguai (16) dhe Bolivia (15). Secili prej pretendentëve kanë nga katër ndeshje të mbetura. Forma e mirë e Viniciusit në Real Madrid ka tërhequr kritika në shtëpi për përzgjedhësin e Brazilit, Tite, i akuzuar se nuk i ka dhënë kohë të mjaftueshme 21-vjeçarit për të treguar aftësitë e tij. Tite thotë se anësori kërkon durim. Bazuar në seancën stërvitore të së martës, Vinicius duket se do të jetë titullar për ndeshjen ndaj Ekuadorit, që luhet të enjten prej orës 22:00. Mesfushori Casemiro, i cili luan me Viniciusin në Madrid, është dakord me shefin e tij te Brazili për të mos nxituar të riun.