Sport

Daku i vendosur ta dëshmojë veten te Osijeku

Sulmuesi Mirlind Daku është duke u përgatitur intensivisht me skuadrën e Osijekut që të jetë i gatshëm për pjesën pranverore në kampionatin e Kroacisë. Për Dakun, së fundi është raportuar se mund të huazohet gjatë këtij muaji dhe se Osijeku tashmë ka marrë oferta nga Polonia, Austria e Hungaria për sulmuesin kosovar.

“Osijeku është në kërkim të një sulmuesi pasi Mirlind Daku me shumë gjasa do të shkojë në huazim. Edhe pse sulmuesi i ri ka bërë progres të konsiderueshëm qëkur është kthyer nga huazimi, trajneri Nenad Bjelica dëshiron t'i sigurojë atij më shumë minuta sesa mundet duke e huazuar. Interesimi për Dakun është më se i mjaftueshëm, sepse e duan disa klube nga Polonia, Austria dhe Hungaria”, ka shkruar “Glas Slavonije”.

Megjithatë, Daku 24-vjeçar ka thënë të mërkurën për KOHËN se për momentin nuk ka asgjë konkrete. Ai shtoi se është duke u përgatitur me Osijekun për pjesën e dytë të kampionatit dhe fokusin e ka vetëm aty pasi dëshiron të dëshmohet.

“Deri më tani nuk ka asgjë. Edhe unë i kam parë shumë lajme, por mund të them se nuk ka as edhe një gjë konkrete. Unë jam me skuadrën duke u përgatitur për pjesën pranverore dhe jam i fokusuar tek ekipi”, deklaroi sulmuesi kosovar.

Duku pret që të ketë hapësirë edhe më të madhe në pjesën e dytë të kampionatit te Osijeku dhe shpreson që me golat dhe paraqitjet e tij ta ndihmojë ekipin ta fitojë titullin e kampionit të Kroacisë.

“Pritjet e mia janë që të kem hapësirë në skuadër në pjesën e dytë të kampionatit dhe të vazhdoj me këtë ritëm. Pres që sa herë të hyj në lojë të kem paraqitje të mira dhe me gola ta ndihmoj ekipin. Synimet e klubit janë normalisht titulli i kampionit, ndërsa të miat vetëm të vazhdoj të luaj dhe të kem paraqitje të mira”, deklaroi Daku.

Ai ka shënuar katër gola në 16 paraqitje për Osijekun këtë sezon. Tri herë ka shënuar në kampionatin kroat, kurse një gol e ka në Kupën e Kroacisë. Në total Daku i ka vetëm 404 minuta lojë, as pesë ndeshje të plota. Kryesisht është inkuadruar nga banka e rezervistëve, por që ia ka dalë të shënonte katër gola. Daku është i kënaqur me paraqitjet e tij duke u bazuar në hapësirën që e ka pasur. Thotë se po të kishte minutazhë më të madhe do të shënonte më shumë gola.

“Në bazë të minutave që i kam pasur në dispozicion jam tejet i kënaqur me atë që kam treguar në stinorin vjeshtor. Shpresoj që të vazhdoj me këtë ritëm sa herë të më jepet rasti dhe ta shfrytëzoj në mënyrën më të mirë të mundshme. Po të luaja më shumë, sigurisht që besoj se do të shënoja më shumë. Me atë që kam shfaqur deri më tani kam treguar që mund të kem paraqitje edhe më të mira”, u shpreh ai.

Daku pret që në muajin mars të ftohet nga Përfaqësuesja e Kosovës për dy ndeshjet miqësore. Në fakt deri më tani Kosova e ka konfirmuar vetëm miqësoren me Zvicrën që do të luhet më 29 mars në Zuerich. Ndërkaq në ditët në vijmë pritet të aranzhohet edhe miqësorja tjetër.

“Ftesën nga Kosova e pres gjithmonë dhe jam i gatshëm të luaj për Kosovën sa herë që ka nevojë”, përfundoi Daku.

Me fanellën e “Dardanëve”, Daku ka pesë paraqitje ndërsa ka qenë pjesë shumë e rëndësishme edhe e Përfaqësueses U21 të Kosovës, ku realizoi tre gola në 13 ndeshje. Në vitin e kaluar Daku ishte shpallur golashënuesi më i mirë në Superligën e Kosovës në kohën sa luante te Ballkani. Ai ishte i huazuar te skuadra e Ballkanit nga Osijeku dhe kishte realizuar 31 gola. Pas shkëlqimit me ekipin nga Suhareka ia doli të siguronte kontratë të re tek Osijeku. Daku ka kontratë me klubin kroat deri në verën e vitit 2024. Si lojtar Daku është rritur te Gjilani, kurse ka luajtur edhe për të rinjtë e Dritës. Më pas kaloi te Hajvalia në Prishtinë ku pati paraqitje të mira në Superligë. Nga Hajvalia ai u transferua te Llapi në Podujevë dhe pas shkëlqimit tek ekipi llapjan Daku u transferua tek Osijeku në verën e vitit 2018. Në vitin e parë nuk kishte arritur të siguronte vend në ekipin e parë dhe ishte huazuar te Kukësi në Shqipëri, përpara se të huazohej te Ballkani.