Sport

Gjuka dhe Rama, më të mirët e vitit 2021 në hendboll

Egzon Gjuka dhe Burneta Rama janë shpallur hendbollistët më të mirë për vitin 2021.

Gjuka dhe Rama morën çmimet kryesore në ceremoninë “Laureatët e vitit 2021” në hendbollin kosovar, e cila u organizua të mërkurën nga Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK).

Ata morën numrin më të madh të votave të trajnerëve të skuadrave të Superligës së Kosovës në hendboll.

Hendbollisti Gjuka, i cili këtë çmim e fiton për herën e parë, i fitoi të gjitha trofetë në hendbollin e Kosovës dhe me sukses u paraqit në Kupën Evropiane.

Qendra e Besa Famgasit ishte i rëndësishëm edhe për Përfaqësuesen e Kosovës, që pati një vit të suksesshëm.

Njësoj si Gjuka, edhe Rama pati sukseset e saj në vitin që lamë pas. Rama u shpall më e mira për herën e dytë, ndërsa me Vushtrrinë e fitoi titullin e kampionit në Kosovë. Është lidere te skuadra e saj.

Në ceremoninë e së mërkurës u ndanë edhe çmime të tjera. Shtatëshja më e mirë në konkurrencën e meshkujve përbëhej nga Mursel Mehmeti, Lulzim Shabani, Festim Mustafa, Egzon Gjuka, Kastriot Jupa, Arbios Mushkolaj dhe Drilon Tahirukaj.

Ndërkohë, në konkurrencën e femrave, shtatëshja më e mirë ishte: Njomza Kelmendi, Albina Rugova, Burneta Rama, Pranvera Ferataj, Shqipe Tahiri, Albulena Kelmendi dhe Mimoza Sefedini.

Kapiteni Valon Dedaj e fitoi epitetin e hendbollistit më të mirë të Përfaqësueses së Kosovës, ndërsa hendbollistja më e mirë për herën e dytë rresht u shpall Marigona Hajdari.

Arben Muçolli i klubit Besa Famgas u shpall trajneri më i mirë për vitin e shkuar pas sukseseve që pati me ekipin pejan.

Për suksesin e arritur në vitin 2021 në Kupën Evropiane, klubi i hendbollit Besa Famgas e mori edhe çmimin e klubit më të mirë te meshkujt, kurse KHF Vushtrria u shpall më i miri i vitit në konkurrencën e femrave.

Në ceremoninë e Federatës së Hendbollit të Kosovës të mërkurën u ndanë edhe shumë çmime e mirënjohje të tjera.