Sport

Pa liga evropiane deri më 4 shkurt

Bundesliga u rikthye në mënyrë të pazakontë në fillim të janarit, pas një pushimi të shkurtër dimëror. Por, pas vetëm dy xhirove, kampionati gjerman pushon sërish.

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka përfshirë një pushim ndërkombëtar në fund të janarit, ndonëse asnjë përfaqësuese evropiane nuk luan ndeshje.

Në fakt nuk është vetëm Bundesliga gjermane që shkon në pushim të detyrueshëm. Për afro dy javë ndeshje nuk do të ketë as në Premier League, La Liga, Serie A e Ligue 1, katër ligat e tjera të mëdha evropiane të futbollit.

Të gjitha këto liga do ta kenë një pauzë për gati dy javë përpara se të rikthehen në aksion në fillim të muajit shkurt. Kampionati gjerman, spanjoll dhe ai francez do të rifillojnë më 4 shkurt, për të vazhduar me atë të Anglisë (5 shkurt) dhe Italisë (6 shkurt).

Jo vetëm që është e pazakontë që të ketë një pushim ndërkombëtar në janar, por është gjithashtu shumë e rrallë që të ketë një periudhë në të cilën FIFA organizon ndeshje pa pasur ndonjë shtet evropian të përfshirë. Megjithatë, gjërat do të jenë të qeta në të gjithë vendet e UEFA-s për javën e fundit të muajit janar. Arsyeja për këtë është se FIFA u garantoi konfederatave të tjera në verën e vitit 2020 një dritare shtesë për shkak të ndërprerjeve nga koronavirusi, ku klubet do të duhej të lironin lojtarët për përfaqësueset.

Meqenëse UEFA ishte në gjendje të zhvillonte ndeshje gjatë periudhës gusht/shtator, nuk ka asnjë ndeshje evropiane për t'u luajtur përgjatë këtyre dy javëve. Përfaqësueset evropiane do të kenë grumbullime, por ato do të zgjasin për vetëm pak ditë, siç është rasti me Italinë që ka ftuar 35 lojtarë prej 26 deri më 29 janar.

CONMEBOLI, CONCACAF-i, Konfederatat e Azisë dhe Oqeanisë gjatë këtij muaji do t’i organizojnë ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror “Katari 2022”, ndërsa Kupa e Afrikës, që po mbahet në Kamerun, do të vazhdojë me rundet e nokautit.

Klubet nga të gjitha ligat evropiane, që nuk do të zhvillohen gjatë kësaj periudhe, janë të obliguara t’i lirojnë futbollistët që ftohen për ndeshjet kualifikuese të konfederatave të lartpërmendura. Datat zyrtare për këtë pushim ndërkombëtar janë prej 24 janarit deri më 2 shkurt.

Shumica e skuadrave evropiane do të mbajnë kampe stërvitore dhe do ta shfrytëzojnë këtë periudhë për t’i pushuar lojtarët e tjerë. Shumica e skuadrave angleze këtë pushim të detyrueshëm do ta shfrytëzojnë duke mbajtur kampe stërvitore në Dubai. Manchester Unitedi dhe Arsenali tashmë kanë konfirmuar shkuarjen në këtë vend të ngrohtë.