Sport

Po hetohet një bast i dyshimtë që ishte vënë për një karton të verdhë të Xhakës

Një karton i verdhë që mori ylli i Arsenalit, Granit Xhaka, është në qendër të një hetimi për një bast të pazakontë, raporton “The Sun”.

Mesfushori 29-vjeçar ishte ndëshkuar në minutën e 88-të për shkak të vonesës së lojës, gjatë ndeshjes së Premier Leagues me Leeds Unitedin.

Federata e Futbollit të Anglisë ka njoftuar se bastoret kanë alarmuar për baste të dyshimta në lidhje me incidentin dhe se do të shikojë këtë. Por, është thënë se nuk po hetohet ndonjë lojtar.

Xhaka u ndëshkua me karton të verdhë nga referi Andre Marriner pasi vonoi ekzekutimin e një gjuajtje të lirë, gjatë fitores 4:1 të Arsenalit me Leeds Unitedin më 18 dhjetor.

Në të vërtetë edhe më herët në mediumet angleze ishte raportuar se po hetohet ndeshja Arsenal – Leeds në lidhje me baste të pazakonta, ndërsa ishte pretenduar se ka të bëjë me kartonin e verdhë të Xhakës.

Një video që ka qarkulluar online tregon se si Xhakës i bëhet thirrje nga trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta e po ashtu nga referi Marriner që të ekzekutojë gjuajtjen e lirë.

Bastoret alarmuan pasi një bastvënës kishte vënë 65 mijë funte bast që Xhaka do të ndëshkohet në ndeshje, ndërsa fitoi 250 mijë funte.

“Ky bast ishte alarmuar nga gjithë bastoret, pasi ishte tepër i madh dhe u pagua mirë. Hetimet janë të përqendruara te basti e jo te sjellja e Xhakës. Nuk është e pazakontë për Xhakën që të ndëshkohet me karton të verdhë”, kanë thënë burime nga bastoret.

Xhaka mungon në ndeshjen e Premier Leagues sot kundër Burnleyt për shkak kartonit të kuq që mori kundër Liverpoolit në League Cup.

Ai ka marrë 46 kartonë të verdhë dhe katër të kuq në 171 ndeshje të Premier Leagues.

Arsenali ka refuzuar të komentojë në lidhje me rastin.

Vetë Xhaka të shtunën tha se nuk planifikon ta ndryshojë stilin e lojës, anipse ai po merr kartona të shumtë.

“Jam ky që jam. Nuk mund ta ndryshojë veten sot për nesër. Natyrisht, duhet të përmirësohem dhe e di se duhet të përmirësohem. Por në këtë moment, nëse Diogo Jota do ta merrte topin dhe do të shënonte, a do të thoshit sërish, ‘Pse nuk e ndale atë? Tani, unë e ndalë atë, ata thonë, ‘Pse more karton të kuq?’” – tha Xhaka për “Sky Sports”.